“Ky problem po zgjat për një periudhë të gjatë kohore, kështu që nënkuptohet që nuk është as hera e parë që ndodh. Është e treta herë që gati se për dhjetë ditë radhazi, nuk vijnë për të grumbulluar dhe bartur mbeturinat. Ndonjëherë ndodh që të zgjas edhe deri në 14 ditë… ka gati tre muaj që ne si banorë të këtij fshati po ballafaqohemi me këtë problem…”, thotë kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Dobrosht, Faredin Iseni
Urim HASIPI
Tetovë, 9 gusht – Banorët e fshatit Dobrosht të Komunës së Tearcës të revoltuar ankohen se kompania, e cila është kontraktuar për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave nga ky fshat, nuk po e kryen punën si duhet, për shkak se gjithmonë mbeturinat nga ky fshat barten me vonesë, të njëjtat për disa ditë me radhë, por edhe me javë qëndrojnë në rrugë dhe tani në muajt e verës kur temperaturat shënojnë mbi 30 gratë celsius, kundërmojnë erë të keqe dhe barten nga qentë endacak, shkruan gazeta KOHA.
Banorët edhe njëherë apelojnë deri te kompania që ka për obligim grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave të ndërmarrë masat e nevojshme për mbeturinat, pasi me ardhjen e mërgimtarëve që ka ndikuar dukshëm në rritjen e fluksit të qytetarëve, është rritur edhe sasia e mbeturinave në pothuajse të gjitha lagjet e këtij fshati.
“Nevoja për zgjidhjen e problemit të mbeturinave në fshatin tonë është shumë e madhe. Problemi qëndron në vonesat që i bën kompania, e cila i bart mbeturinat dhe për pasojë – koshat me mbeturina me ditë të tëra – ndodh që edhe me javë, të qëndrojnë përpara dyerve të shtëpive tona të stërmbushura me mbeturina që qentë endacak i bartin ato. Shpresojmë që për këtë problem të gjendet një zgjidhje çfarëdoqoftë ajo, le të angazhohet ndonjë firmë tjetër, e cila do ta kryejë punën si duhet ose kjo firmë që është e kontraktuar aktualisht – le të angazhohet të punojë me kapacitete shtesë dhe të zgjidhë këtë problem njëherë e përgjithmonë”, thonë banorët.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Dobrosht, Faredin Iseni, thotë se ankesat e qytetarëve i ka adresuar jo një herë, por disa herë në Komunën e Tearcës me qëllim që të gjendet një zgjidhje përfundimtare për këtë problem, megjithatë deri me tani nuk janë ndërmarrë kurrfarë masash, pasi kompania që është angazhuar për grumbullimin dhe bartjen e këtyre mbeturinave, vazhdon që punën e saj ta kryejë me vonesë.
“Ky problem po zgjat për një periudhë të gjatë kohore, kështu që nënkuptohet që nuk është as hera e parë që ndodh. Është e treta herë që gati se për dhjetë ditë radhazi, nuk vijnë për të grumbulluar dhe bartur mbeturinat. Ndonjëherë ndodh që të zgjas edhe deri në 14 ditë… ka gati tre muaj që ne si banorë të këtij fshati po ballafaqohemi me këtë problem. Si kryetar i Bashkësisë Lokale ankesat e tyre i kam përcjellë në Komunë, ndërsa për herë të fundit dje isha po në komunë – është e shtata herë me radhë që shkoj atje për të denoncuar problemin me të cilin ballafaqohen bashkëqytetarët e mi, mirëpo deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë”, tha Iseni.
Haki Iljazi, drejtori i kompanisë “Eko Flor”, kompani kjo e angazhuar për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave në Komunën e Tearcës, thotë se shkaku i kësaj situate është se në këtë periudhë janë trefishuar mbeturinat në këtë komunë.
“Nuk ka ndonjë problem, por vetëm ka vështirësi në këtë periudhë, sepse është trefishuar sasia e mbeturinave nga ajo e zakonshme. Jemi të angazhuar maksimalisht të grumbullojmë mbeturinat në tërë territorin e Komunës së Tearcës. Po ashtu, vështirësi kemi sepse mbeturinat dërgohen në Shkup dhe humbim kohë, pas mbylljes së deponisë në Rusino të Gostivarit. Janë diku rreth 3000 amvisëri që kanë kontratë për transportin e mbeturinave, kurse jo rrallë herë hidhen edhe mbeturina nga amvisëri që nuk kanë kontratë. Po ashtu, problem është edhe hedhja e mbeturinave ndërtimore që shkakton shumë vështirësi”, tha Iljazi. Ai është shprehur optimist se shumë shpejt kjo situatë do të sanohet. Përndryshe, situatë e njëjtë paraqitet edhe në disa fshatra të tjerë që gravitojnë në Komunën e Tearcës , ku e njëjta kompani është e angazhuar për grumbullimin si dhe bartjen e mbeturinave. (koha.mk)