Urim HASIPI
Tetovë, 28 janar – Në fshatin Dobrosht të Komunës së Tearcës, me iniciativë të disa banorëve është ndërmarrë një aksion për pastrimin e rrugëve të fshatit. Jo vetëm kaq, por gjatë këtij aksioni janë duke u pastruar edhe rrugët në pjesët e poshtme të fshatit për në tokat bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Organizator i këtij aksioni është Demir Sejdiu, një mërgimtar i cili tashmë ka marrë përkrahjen edhe të strukturave tjera të këtij fshati.
“Këtë aksion e ndërmora pasi që i takoj këtij fshati, ndërsa me ndihmën e forumit rinor, pastaj edhe Bashkësisë Lokale – filluam këtë aksion dhe kam shpresë se kjo nismë do të vazhdojë edhe më tutje. Para dy jave filluam me pastrimin e rrugës kryesore, pastaj vazhduam edhe në rrugët tjera në fshat, ndërsa tashmë vijojmë edhe në pjesë tjera ku ka më shumë nevojë”, tha Sejdiu. Përkrahje për këtë nismë për pastrimin e fshatit nga mbeturinat organizatori ka marrë edhe nga ana e Xhamisë së fshatit.
“Padyshim se kur bëhet fjalë për kontributin e shoqërisë, sidomos për pastrim – nuk duhet të hezitojë askush, pra asnjë banorë i këtij vendbanimi. Ne si hoxhallarë i kemi përkrah gjithmonë dhe do të përkrahim edhe në të ardhmen, sepse edhe ana fetare na udhëzon për pastërti. Kjo nuk do të thotë pastërti vetëm në trup, por edhe të kemi pastërti edhe në shtëpi, në rrugë edhe gjithkund”, tha Amdiarif Xhemi, imam i fshatit Dobrosht. Mbështetje kësaj nisme i dhanë edhe Bashkësia Lokale bashkë me forumin rinor të fshatit Dobrosht. Fitim Osmani nga Forumi Rinor i fshatit Dobrosht thotë se ky aksion është një organizim mes shumë strukturave të fshatit që ka për qëllim pastrimin e rrugëve nga mbeturinat. “Pastrimi i ambientit duhet të jetë prioritet për të gjithë dhe ne i dhamë mbështetje Demir Sejdiut si iniciator i këtij aksioni ekologjik. Kjo iniciativë përfshin lagjet më të frekuentuara të fshatit dhe aktualisht ky aksion është duke vijuar shumë mirë dhe presim që të kemi një ambient më të pastër në fshatin tonë”, tha për KOHA, Fitim Osmani nga Forumi Rinor i fshatit Dobrosht. Nga Bashkësia Lokale thonë se kjo iniciativë është mbështetur nga ata dhe është një iniciativë vullnetare.
“Ky organizim është në mënyrë vullnetare Të gjithë së bashku për një Dorbosht të pastër. Këtë e ka organizator bashkëfshatari ynë që është në mërgim Demir Sejdiu, dhe ne i kemi dhënë mbështetje. Besoj se kjo iniciativë shumë fisnike nuk duhet të ndalet deri këtu, por duhet të vazhdojë edhe më tej. Kjo ka rrjedhë që dy javë, dhe kohë pas kohë kemi patur organizime ditore dhe kemi filluar në fshat dhe më pas kemi pastruar edhe lumenjtë nga mbeturinat”, tha Xhevat Dauti, përfaqësues i Bashkësisë Lokale të fshatit Dobrosht. Pastrimi i rrugëve në këtë fshat ka filluar ditë më parë dhe është duke vijuar, ndërsa qëllimi është që fshati të jetë më i pastër. Përndryshe, fshati Dobrosht ndodhet përgjatë rrugës Tetovë-Jazhincë ku pjesa dërmuese e banorëve të këtij fshati janë mërgimtarë, ndërsa aksionet e këtilla janë të shpeshta sidomos janë të njohura manifestimet kulturore gjatë verës në këtë fshat që organizohen për nderë të kthimit të mërgimtarëve në vendlindje. (koha.mk)