“Tani kur dygjuhësia, respektivisht gjuha shqipe përdoret në institucionet më të larta të vendit siç janë Qeveria, Parlamenti, Presidenti i shtetit, ministritë… në këtë Agjenci dhe si për çudi në Dibër, dygjuhësi nuk ka”, ankohen dibranët
Vjollca SADIKU
Dibër, 17 janar – Edhe pse me shumicë shqiptare, në Dibër jo të gjitha institucionet respektojnë Ligjin e gjuhëve. Kadastra e Dibrës është institucioni lokal i pushtetit qendror që mbishkrimet i ka vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa ushëheqësia arsyetohet se për dygjuhësinë duhet të vendos institucioni qendror në Shkup.
Udhëheqësi i Njësisë lokale të Kadastrës në Dibër, Sait Abazoski thotë për gazetën KOHA se problemi nuk qëndron tek ai. “Agjencia jonë qendrën e ka në Shkup dhe ata janë kompetent për këtë çështje. Problemi nuk është tek unë”, thotë shkurt Abazoski. Dibranët në ndërkohë reagojnë për mbishkrimin vetëm në maqedonisht të këtij institucioni, ndërsa në vazhdimësi kërkojnë të respektohet Ligji për gjuhët. “Tani kur dygjuhësia, respektivisht gjuha shqipe përdoret në institucionet më të larta të vendit siç janë Qeveria, Parlamenti, Presidenti i shtetit, ministritë… në këtë Agjenci dhe si për çudi në Dibër, dygjuhësi nuk ka”, ankohen dibranët. Megjithatë, si në të kaluarën, poashtu edhe me udhëheqësinë aktuale të Kadastrës në Dibër, gjuha shqipe nuk zë vend në këtë institucion.
Por, më e çuditshme është se faqja zyrtare e Agjencisë për Kadastër të Maqedonisë së Veriut është edhe në gjuhën shqipe, ndërsa Njësia lokale në Dibër nuk e njeh shqipen. “Është e çuditshme që, institucioni qendror respekton gjuhën shqipe, ndërsa institucioni lokal,m në një qytet me shumicë shqiptare, nuk e njeh ligjin. Kjo sigurisht që është shkelje e ligjit”, ankohen edhe të punësuarit shqiptarë në Kadastrën e Dibrës. Vetëm disa metra larg nga ky institucion vepron Njësia e Fondit për Shëndetësi, Njësia e Fondit Pensional dhe Invalidor, Organizata e Kryqit të Kuq… në të cilët respektohet dy gjuhësia dhe janë vendosur mbishkrime të reja në të cilën shkruan Republika e Maqedonisë së Veriut. Mbishkrimi në hyrjen të Njësisë të Agjencisë për Kadastër në Dibër jo vetëm që nuk pa, por njëkohësisht nuk respekton as emrin e ri të shtetit. (koha.mk)