Vjollca SADIKU, Dibër
Dibër, 6 prill – Në Dibër kemi informata jozyrtare se gjatë ditës, shëtisin edhe persona të cilët janë pozitiv me koronavirus , edhe pse janë të detyruar të rijnë në izolim shtëpiak. Edhe përkundrejt faktit se këta persona janë të mbikëqyrur nga policia, të njëjtit presin momente kur ka një vakum të kontrolleve dhe dalin nëpër qytet dhe në dyqane. Këtë e theksoi në pres konferencën e sotme kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, i cili njëherësh udhëheq edhe Shtabin operativ të krizës. Ai tha se persona të këtillë do të ballafaqohen me ligjin dhe do të dënohen, shkruan gazeta KOHA.
Kryetari Duka theksoi se aktualisht nuk ka raste të reja dhe numri i të sëmurëve në këtë komunë është 49 nga të cilët 4 kanë ndërruar jetë dhe 14 janë shëruar tërësisht, ndërsa 31 persona sipas të dhënave zyrtare, janë në shërim edhe atë një pjesë në klinikën infektive në Shkup, kurse pjesa tjetër në shërim shtëpiak. Numri i përgjithshëm i të izoluarve i atyre që janë në vet izolim është 73, kurse me vendim të Njësisë së Shëndetit Publik, në izolim të detyrueshëm janë 13.
“Patrullat policore dhe ushtarake realizojnë tërësisht aktivitete e tyre. Higjiena publike mirëmbahet nga ndërmarrja publike ‘Standardi’, por pronarët e rrjetit tregtar duhet të mos hedhin mbeturinat vend e pa vend, por në lokacionet ku ata i grumbullon ndërmarrja komunale, ngaqë hedhja e mbeturinave nga pronarët e ushqimoreve pengojnë banorët e banesave kolektive”, tha Duka. Në pres konferencë Duka po ashtu informoi se ndarja e ndihmave humanitare realizohet pa probleme. (koha.mk)