Në Dibër numri i të sëmurëve nga fruthi ka arritur në 24, për tre pritet konfirmim

32

Në Dibër numri i të sëmurëve nga morbili ose fruthi ka arritur në 24 persona, ndërsa për tre ende priten analizat përfundimtare laboratorike, informuan nga njësia rajonale e Dibrës të Qendrës për Shëndet Publik nga Ohri.

Nga data 16 e këtij muaji kur Instituti për Shëndet Publik në ueb faqen e tij publikoi se në Dibër është shpallur epidemi e fruthit, deri më tani janë regjistruar shtatë raste të reja.

“Edhe më tej sëmundja është vetëm në qytet dhe më të prekur janë personat më të rritur të cilët nuk janë vaksinuar tërësisht, përveç dy fëmijë të cilët i kanë marrë dy dozat e MRP vaksinës. Pacienti më i vjetër është i moshës 44-vjeçare, ndërsa më i vogli një fëmijë njëvjeçar. Të gjithë janë në lidhje familjare ose fqinj ose kanë pasur kontakt mes vete. Tre nga të infektuarit janë punonjës shëndetësorë”, deklaroi epidemiologu Mentor Mela, udhëheqës i njësitit, i cili me aktivitetin e tij e mbulon edhe komunën e Qendrës Zhupa.

Pasi në Dibër nuk ka mjek infektolog, pjesa më e madhe e rasteve deri më tani janë dërguar në Ohër, ndërsa vetëm tre në Klinikën infektive në Shkup. Të gjithë pacientët, theksoi Mela, ishin me pasqyrë të lehtë klinike.

Përndryshe, rasti i parë është regjistruar nga fundi i majit kur një anëtar i familjes gjatë qëndrimit në Shqipëri, është sëmurë nga fruthi dhe menjëherë më pas edhe prindërit e tij.

Në kuadër të masave parandaluese përveç në klinikën e fëmijëve “Breshija” është kryer dezinfektim edhe në Spitalin e Përgjithshëm. Në të njëjtën kohë, është vendosur ndalesë për vizita në repartin intern, gjinekologjik, pediatriak dhe kirurgjik.

Mela thotë se gjendja po ndiqet me kujdes dhe vazhdimisht janë në kontakt me Institutin dhe nëse është e nevojshme së bashku do të ndërmarrin masa shtesë.

Ai e përsëriti apelin deri te të gjithë ata të cilët nuk e kanë marrë vaksinën për këtë sëmundje, të moshës prej një deri në shtatëvjeçare, të paraqiten në Shërbimin për vaksinim pranë Spitalit të Përgjithshëm në Dibër dhe të vaksinohen.

Comments are closed.