Ndërtimi i shtëpive humanitare dhe dhënia në përdorim të shtëpive të mërgimtarëve faktikisht ka zgjidhur këtë problem të hidhur i cili para dhjetë viteve ishte shumë i theksuar
Vjollca SADIKU
Dibër, 8 gusht – Dekadën e fundit me një angazhim maksimal të humanistëve dibran, sidomos atyre që jetojnë në mërgim, janë ndërtuar shumë shtëpi për nevojat e familjeve me probleme ekstreme sociale të cilët kanë qenë të pastrehë. Të dhënat e shoqatave qytetare që veprojnë në Dibër por që kanë përkrahje të fuqishme nga diaspora thonë se për dhjetë vitet e fundit janë ndërtuar afro 20 shtëpi në Dibër. Kjo drejtpërdrejt ka ndikuar në uljen e këtij problemi të familjeve të cilët për shkak të varfërisë të thellë nuk kanë qenë në situatë të zgjedhin problemin e strehimit.
Në bisedën që patëm me përfaqësues të shoqatave qytetare që janë të angazhuar në sferën e humanizmit u informuam se në pjesën dërmuese mjetet për ndërtimin e shtëpive për familjet e pastrehë sigurohen nga donacione të mërgimtarëve dibran në SHBA por edhe nga disa shtet të tjera të Unionit Evropian. Në një bisedë me Edmond Imeri, një mërgimtar i suksesshëm dibran në Nju Joork u informuam se dibranët në SHBA gjithmonë janë të interesuar për të ndihmuar vëllezërit e tyre në Dibër. “Me një grup të shokëve të mi ne kemi siguruar mjetet për ndërtimin e disa shtëpive për skamnor në Dibër. Aktivitetet do t’i vazhdojmë meqë duam që asnjë dibran në vendlindje të mos ketë probleme me strehimin”, thotë Imeri dhe shton se edhe humanistë të tjerë në diasporë janë aktiv në këtë drejtim. Skënder Kërçishta është një humanist dibran i cili poashtu ka kontakte me të gjithë shoqatat dibrane që veprojnë në diasporë. Ai jeton në Dibër dhe ka mundësuar ndërtimin të disa shtëpive. “Vazhdimisht jam duke realizuar angazhime me qëllim që familjet të pastrehë të fitojnë një kulm modest mbi kokë. Edhe ai aktualisht me shoqatën humanitare ‘Drita’ jemi duke realizuar ndërtime të disa shtëpive humanitare. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me diasporën dibrane e cila kurrë nuk kursehet që të ndajë mjete për të siguruar strehimin për vëllezërit e tyre. Gëzohem si aktivist kur shoh se tani më dukshëm është ulur numri i familjeve të pastrehë”, thotë Kërçishta dhe potencon se edhe në muajt në vijim do të ndërtohen shtëpi të tjera. Ai sqaron se në këtë drejtim një ndihmë të madhe jep edhe pushteti vendor i cili nëpërmjet sektorit për urbanizëm por edhe institucionet e tjera sigurojnë lokacionet për ndërtimin e shtëpive. Të gjithë dibranët duan të ndihmojnë familjet e varfra që edhe ata ti gëzohen jetës, thotë humanisti Skënder Kërçishta.
Në lidhje me varfërinë e thellë dhe problemin e strehimit një vlerësim shumë pozitiv për aktivitete humanitare për ndërtimin e shtëpive për të pastrehët, na u dha edhe nga Qendra ndërkomunale për punë sociale në Dibër. “Është ulur në mënyrë drastike numri i të pastrehëve meqë shumë shoqata dhe humanist dibran kanë ndërtuar shtëpi për këtë kategori. Kjo faktikisht është edhe një ndihmë e madhe për institucionet vendore. Institucioni ku unë jam i angazhuar me punë gëzohet që nga viti në vit rritet numri i shtëpive që ndërtohet në mënyrë humanitare”, thotë punonjësi social Ismail Mersimoski. Ai poashtu shton se falë mërgimtarëve ka familje të pastrehë të cilët i marrin dhe jetojnë në shtëpitë e tyre. Ky është një aktivitet human meqë aktualisht në Dibër nuk ka familje të pastrehë. Ndërtimi i shtëpive humanitare dhe dhënia në përdorim të shtëpive të mërgimtarëve faktikisht ka zgjidhur këtë problem të hidhur i cili para dhjetë viteve ishte shumë ekstrem. (koha.mk)