Pjesa më e madhe janë të rinj që kanë kryer shkollimin superior dhe të mesëm, ndërsa një vend punë e presin vite me radhë. Po ashtu, në këtë kategori janë edhe të rinjtë që kanë përfunduar kualifikimet e ndryshme në sferën e zejtarisë, por që assesi nuk arrijnë të punësohen
Vjollca SADIKU
Dibër, 2 mars – Papunësia vazhdon të mbetet problem kryesor në komunën e Dibrës dhe njëherësh pikërisht kjo është një shkaku primar për migrimin e të rinjve jashtë vendit. Nga viti në vit, papunësia rritet meqë një pjesë e të rinjve migrojnë, por edhe të rinjtë të tjerë – pasi përfundojnë shkollimin e mesëm, paraqiten në Agjencinë për Punësim. Edhe pse ka tendenca për punësime, megjithatë as nga afër nuk po zbutet numri i madh i të papunëve. Kjo situatë në Dibër ka sjellë që numri i të papunëve të jetë shumë më i madh se numri i të punësuarve. Të dhënat e Agjencisë për Punësim, njësia në Dibër, tregojnë se aktualisht – si të papunë në këtë institucion janë të regjistruar 4356 persona, nga të cilët 3156 persona kërkojnë punë aktive dhe 1200 të papunë pasiv. Është ky numër shumë i madh për një komunë siç është Dibra, e cila nga viti në vit po zbrazet.
Në numrin të të papunëve që kërkojnë punë aktive, ka dibranë të kategorive të ndryshme me kualifikim dhe shkollim. Për fat të keq, pjesa më e madhe janë të rinj që kanë kryer shkollimin superior dhe të mesëm, ndërsa një vend punë e presin vite me radhë. Po ashtu, në këtë kategori janë edhe të rinjtë që kanë përfunduar kualifikimet e ndryshme në sferën e zejtarisë, por që assesi nuk arrijnë të punësohen. Kur jemi tek të rinjtë të cilët kërkojnë punë në mënyrë aktive, duhet theksuar faktin se mes të papunëve ka edhe magjistra si dhe të rinj me diploma universitare në drejtime që i nevojiten biznesit dhe komunës Dibër. Në lidhje me numrin e të papunëve të cilët janë në kategorinë e të papunëve pasiv, kryesisht bëhet fjalë për studentë të cilët janë në vazhdën e studimeve, të rinj që kanë mbaruar arsimimin e mesëm dhe nuk janë të interesuar për punë, amvise e tjerë, të cilët janë në listën e Agjencisë vetëm për të përfituar të drejtën e shëndetësisë.
Megjithatë, numri i të punësimeve assesi nuk e kalon numrin e të papunëve. Nëse bëjmë një krahasim të numrit të të punësuarve në komunë para tre dekadave, atëherë del se numri i sotëm i të papunëve është afër 3 mijë, ose mbi 40 për qind më i vogël se numri i të punësuarve viteve të 90-ta kur kishte të punësuar më shumë se 5 mijë dibranë. Në Njësinë e Agjencisë për Punësim në Dibër thonë se gjatë vitit që kaloi, janë realizuar shumë projekte që kanë të bëjnë edhe me realizimin e planit operativ për punësime. Janë projekte për subvencionimin e të papunëve. Megjithatë, të dhënat jozyrtare tregojnë se gjatë tre viteve të kaluara, Dibrën e kanë braktisur mbi 500 të rinj. Këto ditë, më se 40 të rinj nga fshatrat e Dibrës u nisën drejt Sllovenisë për punë.
Shoqatat joqeveritare thonë një numër i madh i të rinjve po migrojnë edhe brenda Maqedonisë, konkretisht në kryeqytet, kurse pjesa dërmuese në disa shtete të Bashkimit Europian dhe në SHBA. Pikërisht për shkak të procesit të migrimeve që s’ka të ndalur, tani në Dibër nuk ka mjekë apo infermierë të mjaftueshëm, meqë ata të cilët ishin të papunë – janë punësuar kryesisht në Gjermani, Itali… (koha.mk)