Dibër, 21 prill – Sipas Komisionit Komunal Zgjedhor në Komunën e Dibrës deri në ora 15:00 të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 30 për qind, nga numri i përgjithshëm i votuesve, raporton gazeta KOHA.
“Deri në ora 15 kanë votuar 5.312 persona. Votimi po zhvillohet pa probleme dhe shpresojmë se kështu do të jetë deri në fund të ditës, gjegjësisht deri në ora 19 kur duhet edhe të mbyllen vendvotimet”, deklaroi Elmira Bakalli, kryetare e Komisionit Komunal në Dibër, transmeton gazeta KOHA.
Sipas saj, në Listën zgjedhore për zgjedhjet presidenciale janë të regjistruar 18.602 votues, ndërsa për kryetar komune 18.551 persona me të drejt vote.
Procesi zgjedhor pa probleme po zhvillohet edhe në Komunën Qendër Zhupë, ku votohet në 16 vendvotime.
Sipas kryetarit të Këshillit Komunal, Eran Zuber, deri në ora 15 të drejtën e votës në këtë komunë e kanë shfrytëzuar 679 votues apo rreth 10 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar që është 6.951. (koha.mk)