Në Spitalin e përgjithshëm në Dibër, në ambulancën psikiatrike informojnë se ka një ulje drastike të numrit të përdoruesve të drogës. Aktualisht, sipas specialistit të psikiatrisë, dr.Shkëlqim Sela, në këtë institucion shëndetësor janë të evidentuar vetëm 20 përdorues të lëndëve narkotike, kryesisht nga qyteti i Dibrës
Vjollca SADIKU
Dibër, 27 janar – Në Komunën e Dibrës, me fillimin e tranzicionit u paraqitën edhe përdoruesit e parë të drogës. Në fillim, numri i përdoruesve ishte simbolik. Por, më pas filloi që ky numër të rritet nga viti në vit. Pozicioni gjeografik i Dibrës, tregtia me drogë, por edhe lëvizja e popullatës sidomos e të rinjve, ndikonte gradualisht në rritjen të përdoruesve të drogës. Deri pra pesë viteve, numri i përdoruesve të drogës ishte shqetësues, por për fat të mirë – viteve të fundit, ka një ulje të këtij numri. Personat e parë të cilët kanë filluan të përdorin lëndët narkotike kanë qenë dibran të cilët këtë varshmëri e kanë fituar jashtë Dibre. Bëhet fjalë për persona që kanë jetuar në emigrim nëpër Evropë dhe SHBA, por edhe persona të cilët një pjesë të jetës e kanë jetuar në kryeqendrën e vendit tonë. Më pas, për fat të keq, përdorimi i drogës u bë “atraktiv” nëpërmjet këtyre personave dhe për disa bashkëqytetarë tanë.
Në Spitalin e përgjithshëm në Dibër, në ambulancën psikiatrike informojnë se ka një ulje drastike të numrit të përdoruesve të drogës. Aktualisht, sipas specialistit të psikiatrisë, dr.Shkëlqim Sela, në këtë institucion shëndetësor janë të evidentuar vetëm 20 përdorues të lëndëve narkotike, kryesisht nga qyteti i Dibrës. Sela thekson për gazetën KOHA se bëhet fjalë për përdorues të drogave të lehta siç janë marihuana dhe heroina. “Ky numër, në krahasim me të kaluarën, është më i vogël dhe ka një stagnim të përdoruesve të drogës sidomos viteve të fundit”, tregon Sela. Në këtë ambulancë, shtonë më tej ai, si institucion trajtojmë në aspektin shëndetësor përdorues të drogës nga mosha 18 deri në moshën 30 vjeçare. “Pastaj, këto pacientë, sipas nevojës, dërgohen në Qendra rehabilituese kryesisht në Ohër dhe Tetovë. Është për të shtuar faktin se nuk kemi pacientë-përdorues të drogave të rënda. Informatat tona thonë se lëndët narkotike në fjalë përdoren si cigare, tableta dhe pluhur”.
Megjithatë, duke marrë parasysh faktin se Dibra është një qytet i vogël, dhe popullata njihet mes veti, mund të ketë edhe përdorues të tjerë dibranë, por që tani për tani ngelen anonim pasi shërohen në spitale në qytete të tjera. Kjo do të thotë, sipas doktor Selës, se numri 20 i përdoruesve të drogës mund të jetë më i madh. Sipas tij, ulja e numrit të përdoruesve të drogës në Komunën e Dibrës është edhe për shkak të procesit dinamik të migrimit. Sa i takon përdorimit të drogës në Dibër, në aktivitetin preventiv një rol të veçantë kanë edhe shoqatat joqeveritare, Qendra për Punë Sociale, Kryqi i Kuq, policia dhe institucionet e tjera. Sipas të dhënave të shoqatave qytetare, deri para pesë viteve, në Dibër dhe rrethinë përdoruesit e drogës kanë arritur një numër prej mbi 60 persona. Për fat të keq, sipas të njëjtit burim, ka patur përdorues të drogës edhe minoren, kryesisht nxënës të shkollave të mesme. “Megjithatë, aktivitetet preventive në familje, shkolla dhe institucionet të tjera japin rezultate pozitive në këtë drejtim”, thonë përfaqësuesit e sektorit joqeveritar. Janë realizuar shumë projekte pikërisht në këtë drejtim. Institucionet në fjalë, por edhe shoqatat paralajmërojnë se edhe gjatë këtij viti janë paraparë projekte për sëmundjet e varshmërisë siç janë droga, alkooli, duhani e tjerë. (koha.mk)