Mbeten edhe 8 shtete anëtare që të ratifikojnë protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO. Kurora e ratifikimit pritet të jetë në Kongresin dhe Senatin amerikan, ndërsa sipas projeksioneve, në Samitin e Londrës më 3 dhe 4 dhjetor pritet që të kumtohet vendimi për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO
Destan JONUZI
Shkup, 17 korrik – Republika e Maqedonisë së Veriut pret që në Samitin e Londrës, që pritet të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor, ti kumtohet anëtarësimi i plotë në NATO, ndërsa pas kësaj – në mënyrë solemne të bëhet edhe ngritja e flamurit të RMV-së në selinë e NATO-s në Bruksel. Deri në Samitin e Londrës mbeten edhe tetë vende që duhet të ratifikojnë protokollin për anëtarësim. Vula e ratifikimit do të jetë në Kongresin Amerikan dhe Senat, shkruan gazeta KOHA.
“Pas ratifikimit të protokollit nga të gjitha vendet anëtare, nuk ka asnjë pengesë për t’u shpallur anëtarësimi i plotë në NATO. Ratifikimi është një formalitet, i cili duhet të kalojë në parlamentet e të gjitha vendeve anëtare”, deklaroi për gazetën KOHA, Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euro-atlantik.
Nga ana tjetër, gjeneral Sulejman Abazi, thotë se sfida më e madhe e Maqedonisë së Veriut është çështja e stabilitetit të situatës së brendshme, në rritjen e standardeve, në respektimin e të drejtave kombëtare të popujve brenda saj etj. “Orientimi euroatlantik dhe lufta e brendshme për stabilitet politike kanë rritur shanset e anëtarësimit në NATO, e cila premton luftën kundër korrupsionit dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me zhvillimin e vendit. Forcimi i marrëdhënieve me SHBA dhe lobimi i fuqishëm edhe me 9 vendet e mbetura për ta ratifikuar marrëveshjen bilaterale të plotë është një sfidë që duhet kapërcyer. Faktori shqiptar në këto sfida është i pozicionuar mirë politikisht dhe kjo është një përvojë për të kërkuar në mënyrë institucionale respektimin e të drejtave të shqiptarëve”, deklaroi për gazetën KOHA, Abazi.
Transportues të rinj, artileri, helikopterë etj, e gjithë kjo sipas planeve për zhvillim dhe modernizim të sistemit mbrojtës i mungon Armatës dhe do të blihet kur vendi të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s. Ndryshime do të ketë edhe në numrin e të punësuarve në Ministri, si dhe në përbërjen e dukjen e njësive ushtarake. Për më pak se 6 vjet, Armata e Maqedonisë së Veriut duhet të përgatit një njësi ushtarake prej 900 trupash, e cila do të jetë e gatshme për pjesëmarrje në misionet e NATO-s, kjo do të jetë një nga obligimet e shtetit pas anëtarësimit në aleancë. Kjo njësi e batalionit të këmbësorisë së mesme të NATO-s do të jetë e pajisur dhe trajnuar në mënyrë adekuate, ndërsa deri në vitin 2023 duhet të formohet plotësisht për pjesëmarrje në misionet paqeruajtëse. “Prioritet kryesor pas modernizimit të Armatës do të jetë pikërisht kjo njësi ushtarake”, deklaruan nga Ministria e Mbrojtjes. Armata në pesë vitet e ardhshme me rritjen e buxhetit prej 2 për qind nga Bruto Prodhimi Vendor (BPV) do të mund që të kyçet edhe në modernizim, ndërsa pas pesë vitesh nga anëtarësimi në NATO është planifikuar që Armata të pajiset edhe helikopterë ushtarakë, ndërsa sipas planit është paraparë që helikopterët e tanishëm ruso-ukrainas të zëvendësohen me helikopterë të prodhuar në shtete perëndimore.
Ndërkohë, një nga vështirësitë që i sjell anëtarësimi në NATO është edhe ajo që struktura aktuale e Armatës është më e madhe nga e nevojshmja, kështu që pritet zvogëlim i numrit të punësuarve në Ministrin e Mbrojtjes për 300. Për ato zyrtarë që do të largohen zgjidhje do të kërkohet me sistemim në administratë. Ushtria do të duhet të numërojë rreth 6850 pjesëtar, ndërsa për momentin vetëm se ka filluar transformimi i batalionit të “Renxherëve” në batalion për zbatim. (koha.mk)