Fisnik PASHOLLI
Shkup, 5 janar – Në dhjetë vitet e kaluara asnjëherë nuk janë realizuar investimet kapitale në vlerën prej 100 për qind sa janë planifikuar në Buxhetet e fillimit të viteve, shkruan gazeta KOHA. Shumat e planifikuara si rëndom janë shkurtuar me rebalanset, ku për shkak të mungesës së parave në buxhet, ose hyrjes të shumës më të vogël në buxhet, të parat që shkurtohen me gërshërë kanë qenë investimet kapitale. Bile, edhe shumat e shkurtuara nga rebalancet e buxheteve shpesh nuk janë realizuar në tërësi. Ekonomistët thonë se investime kapitale sjellin zhvillim më të madh ekonomik, krijojnë parakushte për inkurajime të investimeve të huaja dhe investimeve të brendshme. Madje, nëse llogariten shumat që nuk janë investuar si investime kapitale në dhjetë vitet e fundit – del se afër 900 milionë euro nuk janë realizuar tërësisht. Nga ana tjetër, edhe një pjesë e caktuar e investimeve kapitale nuk kanë sjellë efekt shtesë dhe afatgjatë për ekonominë, pasi janë investuar në projekte joproduktive siç ishte “Shkupi 2014”.
Në ndërkohë, institucionet e ndryshme ndërkombëtare financiare sugjerojnë që shtetet në zhvillim të rrisin të hollat për projekte të ndryshme infrastrukturore, ndërsa kërkojnë të ulin gradualisht të hollat për paga, pensione, mallra dhe shërbime. Sipas rekomandimeve të Bankës Botërore, shtetet në zhvillim duhet të ndajnë së paku 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto apo afër 1.8 miliardë euro në rastin e Maqedonisë, e cila ndan më pak se 5 për qind të PBB-së për investime kapitale. Në favor të realizimit më të suksesshëm të investimeve kapitale, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë kanë kërkuar nga ekzekutivi i ri, analizë tremujore sa se janë realizuar në praktikë investimet kapitale.
Në ndërkohë, në vitin 2017 janë realizuar 83.6 për qind e investimeve kapitale ose 19.8 miliardë denarë në të holla. Deri në fund të muajit nëntor realizimi i tyre ka arritur në 60 për qind, por në muajin dhjetor është rritur dukshëm realizimi i tyre – kryesisht si rrjedhojë e realizimit me 96 për qind të Fondeve IPA. Me buxhetin e vitit 2018 parashikohen të harxhohen afër 400 milionë euro investime kapitale, apo 20 milionë euro më shumë se në vitin 2017.
“Investimet kapitale janë parashikuar në nivelin prej 24.144 milionë denarë dhe janë të dedikuara për intensifikimin e projekteve infrastrukturore si përfundimi i Korridorit 10 dhe infrastrukturës hekurudhore, infrastrukturës energjetike dhe komunale, si dhe investimeve kapitale për përmirësimin e sistemit shëndetësor, arsimor , social, shëndetësi, kulturë, sport, mbrojtje të ambientit dhe gjyqësor”, thuhet në arsyetimin e Buxhetit.
Në Buxhetin e ri parashikohen edhe harxhime kapitale në shumën prej 3.556 milionë denarë për modernizimin e rrugëve dhe hekurudhës, ku pritet përfundimi i aksit rrugor Demit Kapi- Smokvicë që do të kompletojë Korridorin 10. Do të investohet edhe në infrastrukturën energjetike dhe komunale në shumë prej 5.898 milionë denarë, ku do të vazhdohen punimet në gazsjellësin Shtip-Negotinë-Manastir dhe Shkup-Tetovë-Gostivar.
Përmes Fondeve IPA do të përkrahet ndërtimi i stacioneve filtruese për ujërat e zeza në Kërçovë, Prilep, Radovish dhe Strumicë, si dhe rehabilitimi i rrjetit të kanalizimit në Kumanovë, Berovë dhe Prilep. Në rregullimin e Zonave industriale – do të investohen 441 milionë denarë. Për sheshin “Skënderbeu” në Shkup parashikohen 125.000.000 denarë, ndërsa për projektin për mbrojtje ekologjike të lumit Radika gjithsej 51.700.000 denarë.
Mjete parashikohen edhe për përmirësimin e furnizimit me ujë në Gostivar, Radovish dhe Kavadar. Nga ana tjetër, janë parashikuar edhe 75.000.000 denarë për sistemin e furnizimit me ujë në Komunën Sopishte që përfshin edhe fshatin Patishka Rekë dhe 20.000.000 denarë për kanalizimin dhe ujësjellësin në Zonën e Vizbegut. Mjete prej 1.852.000.000 denarë parashikohen edhe për Hidrosistemin Raven-Reçicë, digën në Sllupçan, rehabilitimin e pompës në Dibër dhe ndërtimin e digave në lumin e Orizares dhe digës Konsko. Në ndërtimin dhe rikonstruimin e spitaleve do të investohen 1.859 milionë denarë, mjete nga Buxhetit dhe nga kredi të ndryshme. Mjetet ndër të tjerash do të ndahen për furnizimin me pajisje mjekësore dhe rikonstruimin e Spitalit në Kërçovë. Në vitin 2018 do të fillojnë aktivitetet për ndërtimin, rikonstruimin dhe rindërtimin e Qendrës Klinike “Nëna Terezë” në Shkup, si dhe do të vazhdojë implementimi i Spitalit rajonal klinik në Shtip, i financuar me borxh nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.
Për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave, çerdheve, sallave sportive, konvikteve dhe pajisjen e universiteteve do të harxhohen 2.440 milionë denarë. Në ndërkohë, 2.604 milionë denarë janë të parashikuara për bujqësi, vaditje dhe zhvillim rural. Me kredi të jashtme do të mbështetet realizimi i fazës së dytë dhe të tretë i sistemit Zletovica për vaditjen e 4.570 hektarëve tokë në komunat Shtip dhe Probishtip, dhe hidrocentraleve të vogla përgjatë rrjedhës së lumit Zletovica. Do të mbështetet edhe vaditja e lumit Vallandovë. Gjithashtu, përmes mjeteve IPA do të rehabilitohen dhe mbindërtohet rrjeti i kanalizimit në Shkup, Kërçovë, Manastir, Tetovë etj. (koha.mk)
INVESTIMET KAPITALE DHE REALIZIMI SIPAS VITEVE
2010: 86.65 për qind
2011: 84.37 për qind
2012: 87.50 për qind
2013: 82.42 për qind
2014: 83.58 për qind
2015: 83.96 për qind
2016: 76.01 për qind
2017: 83.60 për qind