Vëzhgimet e fundit që vijnë prej ekspertëve të fushave të ndryshme kanë nxjerrë si përfundim një dozë skepticizmi për sa i përket gatishmërisë së Qeverisë për t’u përballur me të gjitha problematikat (përmirësimin e klimës së biznesit dhe hapja e perspektivave zhvillimore ekonomike e sociale, luftimi i korrupsionit e nepotizmit në radhët e veta e jo vetëm në opozitë, në thellimin e reformave institucionale, sidomos ato gjyqësore). Dhe kur ndodhesh si individ në mes të këtyre vëzhgimeve dhe realitetit në terren, s’ke si të mos kërrusesh nga pesha e një demiurgu socio-patologjik që merr formën e papërcaktuar të një mjegullnaje që vetëm politika di ta krijojë
Nga Emin AZEMI
Zgjedhja e Stevo Pendarovskit për president, mund të thuhet se po mbyllë një cikël politik që rrumbullakon procesin e filluar me Marrëveshjen e Prespës. Por, a mjafton të sjellë frytet e pritura vetëm ideja se procesi po ecë, vendi po afrohet nga Brukseli, gjërat po ecin sipas axhendave të planifikuara, por pa një proces tjetër, paralel, më të thellë që do t’i jepte këtij zhvillimi substancën e domosdoshme të qëndrueshmërisë.
PREMTIMET MBETEN VETËM IMAZHE TË ZBEHTA NË KUJTESËN E VRARË
Shumë kush është i bindur se ndryshimet politike që ndodhën e që pritet të nxjerrin në sipërfaqe nusproduktet e këtyre ndryshimeve – integrimet euroatlantike, do të ndikojnë gjithsesi në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në hapjen e perspektivave zhvillimore ekonomike e sociale, në luftimin e korrupsionit e nepotizmit në radhët e veta e jo vetëm në opozitë, në thellimin e reformave institucionale , sidomos ato gjyqësore.
Vëzhgimet e fundit që vijnë prej ekspertëve të fushave të ndryshme dhe institucioneve të pavarura kanë nxjerrë si përfundim një dozë skepticizmi për sa i përket gatishmërisë së Qeverisë për t’u përballur me të gjitha problematikat e sipërpërmendura. Dhe kur ndodhesh si individ në mes të këtyre vëzhgimeve dhe realitetit në terren, s’ke si të mos kërrusesh nga pesha e një demiurgu socio-patologjik që merr formën e papërcaktuar të një mjegullnaje me fytyrë përbindëshi që vetëm politika di ta krijojë. Ana më errët e këtij demiurgu është fotografia jo e plotë që ‘shkrepet’ pas çdo ndryshimi, ku më të përfituar dalin të jenë elitat politike dhe oligarkitë e afërta me to, se sa masat e gjëra të popullsisë, sidomos kategoritë në nevojë. Premtimet mbeten vetëm imazhe të zbehta në kujtesën e vrarë, kurse njerëzit e thjeshtë vazhdojnë të mendojnë për fundin e muajit, i cili për çdo ditë bëhet më i largët e më sfilitës.
Në anën tjetër, a mund t’i fajësojmë vetëm politikanët për këtë cilësi jete që po bëjmë? Sepse, ka shumë gjëra që varen edhe nga ne qytetarët, nëse jo drejtpërdrejt, atëherë tërthorazi edhe ne marrim pjesë në dizajnimin e klimës së përgjithshme politike e sociale.
SHQIPTARËT E KANË SHUMË PROBLEM TË FLASIN PËR DOBËSITË E TYRE
Politikanët premtojnë BE dhe NATO, por askush, s’po na tregon se si do të bëhemi pjesë e Europës dhe do të donim ta dinim me cilat kritere do të matet, bie fjala, meritokracia në shoqërinë shqiptare dhe si do të zhvillohet botëkuptimësia rreth formimit intelektual, profesional e qytetar të elitave që do ta udhëheqin këtë shoqëri. Në BE a do të shkojmë me gjithë këto universitete që më shumë prodhojnë diploma, se sa përgatisin kuadro për treg, me gjithë këta tituj akademikë, që më shumë harxhojnë energji për të gjet lidhje për punësim, se sa që shkruajnë ndonjë punim shkencor, me gjithë këtë diversitet brendafetar, që më shumë prodhon konfuzitet, se sa kthjelltësi mendimi e vizioni, me gjithë këtë armatë të rinjsh, të cilët më shumë angazhohen për të gjetur ndonjë punë në Mc’Donals në Gjermani, se sa të marrin mundin të aplikojnë për ndonjë vend pune në vendlindje, me gjithë këtë tokë bujqësore që në vend se të punohet për të siguruar bukën, dita ditës po shndërrohet në djerrinë me thera gomari?
Më konkretisht, shqiptarët, si rëndomë, e kanë shumë problem të flasin për dobësitë e tyre, sepse ata mendojnë se edhe nëse e kanë ndonjë behane, fajet i kanë të tjetër. Por, shqiptarët harrojnë se për shumë vite (më shumë se dy dekada) janë drejtues të disa fushave në arsim, kulturë, politikë, ekonomi dhe dinamika e zhvillimit për shumë çka është varur nga vetë shqiptarët. Në pjesën dërmuese të shkollave dhe universiteteve kanë qenë drejtues shqiptarë, në pjesën dërmuese të komunave në Maqedoninë Veriperëndimore kanë qenë drejtues shqiptarë, në çdo qeveri ka pasur partnerë shqiptarë të koalicionit, mirëpo shumë pak flasim për bilancet e projektuara si rezultat i të qenit të shqiptarëve bartës të punëve drejtuese në të gjitha këto fusha.
Rezultatet testuese që dalin çdo vit, madje edhe prej subjekteve ndërkombëtare, tregojnë se shkollat dhe universitet tona (me ndonjë përjashtim) janë në fund të pusit. Ankesat që vijnë prej banorëve, por edhe prej mërgimtarëve, janë të dominuara me kritika drejtuar pushteteve lokale për situatën katastrofike në fushën e investimeve, ruajtjen e ambientit, në shumëzimin e deponime të egra, në kultivimin e ”fermave të egra” me qenë endacakë, që barten nga njëra komunë në tjetër, si dhe në mosofrimin e projekteve konkrete që do t’i nxirrnin këto rajone nga harta e viseve me zhvillim joproporcional.
Përfundimisht, pse ka nevojë të flasim me këtë gjuhë kaq të ngatërruar burokratike që nënkupton reforma të ndryshme në gjyqësor, në administratë, në politikbërje dhe nuk jemi në gjendje të japim përgjigje në një pyetje të thjeshtë: Jemi apo s’jemi si shoqëri në gjendje të bëjmë një rishqyrtim të brendshëm për të skanuar dobësitë tona, pa të cilat do të ishim më të pranueshëm në një rreth të gjerë vlerash e kulturash.
BE DHE NATO NUK JANË DESTINACION PIKNIKU
Fundja, selitë e BE dhe NATO kanë qenë dhe do të jenë gjeografikisht aty ku janë, por kulturalisht dhe psikologjikisht nuk janë aty ku dikush e barazon atë me një destinacion pikniku. BE dhe NATO, mbi të gjitha janë filozofi dhe botëkuptim. Gjithçka tjetër është teknikalitet. Por, burokracive lokale iu konvenon pikërisht teknikaliteti sepse, çuditërisht gjejnë pikëtakime me teknokratët në Bruksel, të cilëve sikur më tepër iu konvenon siguria se sa demokracia në rajon.
Megjithatë, ndryshimet duhet të bëhen edhe në këtë aspekt, në radhë të pare duke e zëvendësuar parullën e deritanishme ‘stabiliteti para demokracisë’ me një parullë tjetër ‘demokraci dhe zhvillim’. (koha.mk)