Qenan HASANI
Manastir, 19 maj – Aty ku përfundon pjesa veriperëndimore e fushëgropës së Pellagonisë pjellore e ku fillojnë vargmalet Babuna, shekuj me radhë, si fole shqiponjash shtrihet fshati piktoresk i Cërnilishtës. Është ndër fshatrat e rrallë të Pellagonisë që me sukses i ka përballuar të gjitha sfidat e regjimeve sllave gjatë historisë qindvjeçare, shkruan gazeta KOHA. Në dy shpërnguljet masovike për në Anadoll, cërnilishtasit kanë dëshmuar një qëndrueshmëri ndaj vendlindjes kështu që vetëm një numër i vogël kanë marrë rrugën drejtë “eldorados” së premtuar nga organizatorët e këtyre dyndjeve. Edhe pas luftës së fundit ata ishin të paluhatshëm. Edhe përkundër trysnive të shumta, ata arsimoheshin, sikur edhe në gjuhën maqedonase, duke marrë parasysh konstatimin se i arsimuari, pa marrë parasysh se në cilën gjuhë arsimohen, kurdo e gjen vetveten dhe nuk lejon që të asimilohet. Ashtu ka ndodhur edhe me banorët e këtij fshati vazhdimisht i banuar vetëm nga shqiptarë, prandaj dhe është fshati më i madh shqiptarë në Pellagoni. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në fshat vepron shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe, nga e cila kanë dalë qindra e qindra intelektualë të të gjitha profileve sot të shpërndarë nëpër tërë vendin. Intelektualët e Cërnilishtës dukshëm kanë kontribuar edhe për mëkëmbjen arsimore të shqiptarëve të fshatrave tjerë shqiptare, siç është rasti me fshatin Desovë, në të cilën paralelet shqipe ekzistojnë falë arsimtarëve të Cërnilishtës. Shkolla “Ismail Qemali” vazhdimisht ka pasur numër të madh filloristësh, siç ndodh edhe në këtë kohë të mjerimit më të madh ekonomik. Dikur shkolla qendrore ku mësonin shqiptarët e fshatit shqiptarë, ishte në fshatin e afërm, Kostinci, e cila vepronte me emrin “Petre Gliguroski”. Falë angazhimit të subjektit politikë shqiptarë, që në fillim të pluralizmit, intelektualët e Cërnilishtës vendosmërisht kërkuan dhe fituan transferimin e shkollës qendrore në fshatin Cërnilisht me emrin e parë të hapjes “Ismail Qemali”. Për momentin kjo shkollë në 20 paralelet numëron gjithsej 356 nxënës, nga të cilët 342 të shpërndarë në 18 paralele janë nga fshati Cërnilishtë, 8 janë të paraleles periferike të fshatit Gostirazhni dhe vetëm 6 maqedonas të paraleles së Kostincit. Me kohë është zgjidhur problemi kadrovik, ngase, siç thonë banorët e fshatit, Cërnilishta ka numër të madh arsimtarësh edhe për nevojat e veta, por edhe për “eksport”, kështu që procesi edukativ arsimor zhvillohet në gjuhën shqipe. Sipas drejtorit të shkollës, Sadetin Imeroski, numri i filloristëve vazhdimisht është standard. “Vetëm në shkollën tonë ende nuk ka filluar të pakësohet numri, ai është në rritje e jo në ulje”, thotë për KOHA, Imeroski. Po nga ky i fundit, bëhet e ditur se numri i nxënësve të fshatit Cërnilishtë është baza më e sigurt për ekzistimin e Gjimnazit “Drita”, nga fshati Zhitoshë. Por, jo vetëm nxënësit, por edhe numri më i madh i mësimdhënësit në këtë institucion të arsimit të mesëm me mësim në gjuhën shqipe, i vetmi i këtij lloji për nevojat e shqiptarëve të Maqedonisë Jugperëndimore, janë nga Cërnilishta. Edhe shkolla “Ismail Qemali” ballafaqohet me të njëjta probleme si të gjitha shkollat tjera në vend, me ato të natyrës financiare. (koha.mk)