Shkup, 11 janar – Skuadra e Shkupit nga momenti që ka marrë sponsorin e fuqishëm, ka sjellë dhe shumë ndryshime në klub, duke aranzhuar përgatitjet dimërore në Antalia të Turqisë, pastaj nënshkroi marrëveshje me brendin sportiv italian “Kappa”, por nuk ka ndenjur duarkryq edhe në sjelljen e përforcimeve në afatin kalimtar të janarit. Së fundmi klubi nga Çairi po tregon se me pronarin e ri Shefket Demiri ka ambicie që për një kohë të shkurtër të kthejë ekipin në një konkurrentë edhe për tituj. Dy prurjet e fundit në kampin bardhekaltër janë Stefan Vujçiç dhe golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit të Maqedonisë (130 gola), Bazhe Ilijoski. Ilijoski ka nënshkruar për 18 muajt e ardhshëm, ndërsa Vujçiç për gjashtë muaj me opsion që e njëjta të vazhdohet edhe për një vit tjetër. Ndryshe, të dy futbollistët janë të kualitetit të lartë dhe s’ka dyshim se do të jenë përforcime të mëdha për skuadrën e trajnerit Ardian Nuhiu. Karriera e Ilijoskit është shumë e pasur, duke luajtur në arenën ndërkombëtare, ndërsa në kampionatin vendor ishte pjesë e Rabotniçkit, Metallurgut dhe Pelisterit. Sulmuesi korpulent që është makineri e golave, ka arritur që tre herë të fitojë titullin kampion me skuadrën e Rabotniçkit, ndërsa pas vete ka edhe pesë tituj fitues i Kupës së Maqedonisë, nga një me Pelisterin dhe Metalurgun dhe tre herë me Rabotniçkin. Gjithashtu ai ka fituar edhe një titull kampion me ekipin tajlandez Bangkok. Derisa, Vujçiç bashkohet me Shkupin pas largimit nga skuadra e Shkëndijës. Luan në pozitën e mesfushorit dhe ka përvojë të madhe. Cekim, karrierën e tij e kishte nisur në Gjermani me ekipin e Ligës së Tretë Holstein Kiel, që më pas të afrohet te Rabotniçki në vitin 2010, e më pas transferohet në Ligën e parë kroate te inter Zapreshiç. Nga Kroacia Vujçiç përsëri rikthehet në Maqedoni te Rabotniçki me të cilët luajtur tre vite, ndërsa së fundmi ishte pjesë e Shkëndijës.
Ndërkohë, me angazhimin e Vujçiç dhe Ilijoskit, ka arritur në katër numri i përforcimeve te FC Shkupit. Kujtojmë, më herët drejtuesit e klubit arritën marrëveshje me dy futbollist cilësor, Bllagoja Lamçevski dhe Rron Broja.
Prezantohen blerjet e reja
Skuadra e FC Shkupi, të premten do të prezantoj blerjet e reja në afatin kalimtar të janarit, Bllagoja Lamçevski, Rron Broja, Stefan Vujçiç dhe Bazhe Ilijoski. Këta do të prezantohen para opinionit sportdashës në një konferencë për media në sallën e takimeve në “Marriot Hotel” në Shkup prej orës 13:30.