Shkup, 12 nëntor – Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu, kryetari i Shkupit Petre Shilegov dhe drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërime”, Adrijan Muça sot morën pjesë në promovimin e projektit të përbashkët për ndërtimin e një këndi argëtues dhe edukativ për fëmijë, në Fushën e Sportit në lagjen e Fushë Tophanës.
Me vendosjen e pajisjeve urbane, stolave të parkut, koshave për mbeturina, vendosjen e ndriçimit publik dhe shtegun për këmbësorë, ky kënd po ashtu do të shërbejë edhe si një shesh pushimi për të moshuarit dhe banorët e zonës.
“Dua të falënderoj të gjithë banorët e kësaj lagje për bashkëpunimin gjatë periudhës së kryerjes së punimeve në këtë hapësirë si dhe kërkoј mirëkuptimin e tyre dhe bizneseve përreth që ta ruajnë investimin e bërë”, tha në promovimin e sotëm kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu.
Ndërkohë kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, tha se ndjehet shumë i gëzuar që ky kënd edukativ për të vegjlit u hap pikërisht në parkun e Çairit, duke shtuar se në këtë mënyrë Qyteti i Shkupit e arsyeton qëndrimin e tij për mosndarjen e kulturës nga qendra drejt periferisë dhe qasjen drejt saj për të gjithë qytetarët.
Ai shtoi se Çairi është komunë me dendësi më të madhe të popullatës dhe shfrytëzimin e paktë të hapësirave, komunë e cila nga pushteti i mëparshëm ka marrë shumë pak vëmendje.
Ai e falënderoi komunën e Çairit për bashkëpunimin dhe gjithashtu edhe realizimin ideor të autorit Filip Petrovski bazuar në përrallën “Shtëpiza prej çokollate”.
“Shpresoj se do të kemi të tilla kënde argëtuese për fëmijët. Nuk duhet bërë shumë që një fëmijë të gëzohet”, tha Shilegov duke i ftuar qytetarët që të ruajnë këtë projekt sepse i përket të gjithëve.
Ky kënd e paraqet kureshtjen fëminore por edhe dashurinë që midis tyre e ndajnë fëmijët në familje, respektivisht skena nga përralla e cila është kaq e njohur për më të vegjlit.
Siç njoftoi pres shërbimi i Qytetit të Shkupit, qyteti përgatiti edhe dokumentacione të tjera projektuese për këtë komunë, siç është zgjerimi i bulevardit Bosnjë e Hercegovina me gjashtë korsi automobilistike, korsi për biçikleta dhe për këmbësorë dhe gjelbërim në mes, ndërtimin e tunelit i cili do të mundësojë relaksimin e kaosit në trafik që kalon përmes Bit-Pazarit e sidomos trafikut të rënduar në udhëkryqin tek pallati i Gjykatave, ku është vlerësuar se në ditë kalojnë edhe mbi 86.000 automjete.
Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit , shtohet në njoftim kanë përpiluar plan për krijimin e një rrjeti të shtigjeve për biçikleta në territorin e Çairit, ndërsa si etapë të parë për realizimin e tyre është rruga për biçikleta në rrugën “Brigada e dytë maqedonase” (Vtora Makedonska brigada).