Edhe pse ishte një nga premtimet kryesore të Ganiut, tashmë në Komunën e Çairit shprehen se nuk kalkulojnë me premtimet e dhëna të kryetarit, megjithatë theksojnë se jo çdoherë mos fillimi i projekteve dhe realizimi i premtimeve bëhet për shkak të tyre
Omer XHAFERI
Shkup, 1 korrik – Rikonstruimi i fasadave dhe kulmeve të ndërtesave në Çair ende nuk ka filluar. Kryetari aktual i Çairit, Visar Ganiu, gjatë fushatës zgjedhor premtoi se efikasiteti energjetik i ndërtesave do të jetë njëri prej projekteve primare të tij, shkruan gazeta KOHA. Kursimi i buxhetit familjar përmes zvogëlimit të faturave për harxhim të rrymës elektrike mendohet të jetë njëri prej qëllimeve kryesore të këtij projekti.
Lidhur me këtë çështje, nga Komuna e Çairit shprehen se nuk kalkulojnë me premtimet e dhëna të kryetarit Ganiu, megjithatë theksojnë se jo çdoherë mos fillimi i projekteve dhe realizimi i premtimeve bëhet për shkak të tyre. Për realizimin e këtij projekti madhor, siç njoftojnë nga Komuna e Çairit, para se gjithash nevojitet pastrimi dhe rregullimi i të gjitha procedurave ligjore, përfshi edhe përgatitjen e terrenit në aspektin e dokumentacionit.
“Mbi të gjitha, para se të fillohet me procesin e rikonstruimit të fasadave, parësore për Komunën e Çairit është zgjidhja e problemit me konsolidimin dhe funksionimin e këshillave nëpër shumicën e ndërtesave në territorin e Komunës sonë që është parakusht për fillimin e realizimit të projekti. Ne, për momentin, ndodhemi në fazën e shqyrtimit të aplikimit të mekanizmave financiare që do të mundësojnë fillimin e realizimit të projektit për rikonstruimin e fasadave të ndërtesave në territorin e saj, respektivisht jemi duke e shqyrtuar seriozisht mundësia e masës së subvencionimit”, thonë nga Komuna e Çairit.
Mos paraqitja e Këshillave banesor në Çairit është një problem i kamotshëm i shoqërisë që jeton në këtë anë të Shkupit. Kësisoj mos funksionimi i tyre paraqet njërën prej pengesave kryesore, sepse edhe më tej projekti kapital i Komunës së Çairit për rinovimin e fasadave energjetike ende nuk ka filluar.
Vetëdija e ulët qytetare shpeshherë për banorët e Çairit dhe rrethinës është treguar si një pengesë për realizimin e projekteve madhore në dobi të të gjithëve.
Përderisa qytetarët dhe autoritetet e Çairit çalojnë në këtë drejtim, administrata e Komunës Qendër ditë më parë njoftoi se së shpejti do të fillon me rinovimin e fasadave energjetike për 26 objekte brenda territorit të komunës së saj. Me fasadat e reja, siç kanë paralajmëruara nga Komuna Qendër, në radhë të parë do të ruhen pamjet e ndërtesave ekzistuese, me çka për ngjyrën dhe detajet tjera fjalën e fundit do ta kenë vetë qytetarët. Tutje, ata shtojnë se fasadat e reja do të jenë moderne dhe jo ato të stilit barok. Realizimi i këtij projekti sipas dinamikës së, pritet të realizohet brenda dy viteve.
“Projekti do të mbështetet me mjete financiare nga buxheti i Komunës, në lartësi prej 70 për qind të vlerës së fasadës energjetike për ndërtesat për banim kolektiv. Nëse ndonjëra prej familjeve që jeton në këto ndërtesa e që është zgjedhur për rikonstruim është rast social apo persona me aftësi të kufizuara, atëherë me dokumentin që do ta vërtetojë statusin e tij social, komuna do ta financoi pjesën me mbetur të rikonstruimit të banesës”, theksojnë nga Komuna Qendër.
Ndryshe, parakusht për fillimin e këtij projekti është që familjet të cilat jetojnë në banesat e zgjedhur për rikonstruim, në xhirollogari të Komunës të paguajnë 30 për qind e vlerës së përgjithshme të investimit. (koha.mk)