Prishtinë, 9 shtator – Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut nëpërmjet një analize ka thënë se që nga viti 1999 e derë më 9 shtator të këtij viti, në burgjet e Kosovës kanë vdekur 67 të burgosur, prej tyre 51 kanë vdekur nga sëmundjet, kurse, 16 janë vetëvrarë.
Për të marrë masa parandaluese për vetëvrasjen e të burgosurve KMDLNj propozon që Shërbimi Korrektues i Kosovës, Shërbimi Shëndetësorë i Burgjeve, organizatat që i monitorojnë këto shërbime, si dhe shërbimet tjera profesionale psikologët, psikiatrat, punëtorët socialë, sociologët, edukatorët etj., të ulen në një raund të konsultimeve duke identifikuar shkaktarët e mundshëm dhe në bazë të tyre të dalin me rekomandime për trajtimin e këtyre rasteve.
Rasti i fundit i vetëvarjes së të dënuarit F.I. 23 vjeçar nga Vushtrria, në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës, me të drejtë nxiti reagime të shumta, si nga organizatat monitoruese, mediet elektronike dhe të shkruara, vet SHKK –ës dhe opinionit në Kosovës. Rasti i vetëvarjes së të dënuarit F.I. ka ndodhur me 5 shtator 2019 dhe, sipas informatave të KMDLNj –së, rasti është duke u hetuar, janë suspenduar dy oficerë korrektuese dhe është qartësuar një linjë hetimi që ka të bëjë me rastin konkret.
KMDLNj, në bazë të një informate të një të burgosuri ka kërkuar të hetohen shkaqet rrethanore që mund të kenë ndikuar në mënyrë direkte apo indirekte në vetëvarjen e F.I. në Burgun e Dubravës. Në ndërkohë pati reagime të paverifikuara se mungesa e përkujdesjes shëndetësore si dhe dhuna fizike e përdorur ndaj të ndjerit F.I. mund të kenë ndikuar në përfundimin tragjik të jetës së një të dënuari, në rastin konkret të F.I. Pastaj, në medie dolën informata të paverifikuara për numrin e vetëvrasjeve në burgjet e Kosovës në ndërkohë që nuk bëhej dallimi fare midis rasteve që kanë vdekur si pasojë e sëmundjeve të pashërueshme dhe rasteve të vetëvrasjeve duke krijuar në këtë mënyrë një pasqyrë joreale për trajtimin që e kanë të privuarit nga liria në qendrat e paraburgimit dhe qendrat korrektuese në Kosovë si edhe shërbimeve shëndetësore që iu ofrohen në këto institucione të privimit nga liria, njofton Koha.net.
Përkundër disa lëshimeve dhe gabimeve, KMDLNj me përgjegjësi morale, profesionale dhe ligjore ka pohuar dhe pohon se Shërbimi Korrektues i Kosovës është shërbimi më i mirë krahasuar me vendet e rajonit e që të njëjtin qëndrim apo të përafërt e kanë edhe IAP dhe organizatat tjera monitoruese, vendore dhe ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të KMDLNj –së e që janë edhe të dhëna të SHKK –ës por edhe të organizatave tjera monitoruese gjatë tri viteve të fundit ( 2017, 2018 dhe 2019) në burgjet e Kosovës kanë vdekur dhe vetëvrarë 15 të burgosur prej tyre 12 kanë vdekur nga sëmundjet kurse tre janë vetëvrarë.
“Kështu, në vitin 2017 numri i vdekjeve nga sëmundjet është gjashtë të burgosur ndërsa të vetëvrarë janë 0. Në vitin 2018 dy të burgosur kanë vdekur nga sëmundjet kurse një i burgosur është vetëvrarë. Ndërsa, që nga fillimi i vitit 2019 e deri më tani katër të burgosur kanë vdekur nga sëmundjet natyrore kurse dy të burgosur janë vetëvrarë. Nëse i marrim të gjitha rastet e vdekjeve dhe të vetëvrasjeve, që nga viti 1999 e derë më 9 shtator 2019 del se kanë vdekur 67 të burgosur prej tyre 51 kanë vdekur nga sëmundjet kurse 16 janë vetëvrarë. Nëse krahasohet numri i të të burgosurve që janë vetëvrarë në Kosovë me të njëjtën kategori në SHBA dhe BE del se në Kosovë në 100.000 të burgosur, kanë bërë vetëvrasje 18 të burgosur. Në SHBA, në 100.000 të burgosur janë 100 të burgosur të vetëvrarë kurse në vendet e BE-së, në 100.000 të burgosur janë 120 deri në 150 të vetëvrarë”, thonë nga KMDLNj.