Bruksel, 9 tetor – Gjashtë vende nga Ballkani Perëndimor, midis të cilëve edhe Maqedonia, filluan negociata për njohje reciproke të kualifikimeve profesionаle të doktorëve të mjekësisë, stomatologjisë, arkitekturës dhe të inxhinierëve të ndërtimit. Takimi u mbajt në Bruksel me ftesë të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (KRB), trup operativ i vendeve anëtare të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore dhe është pjesë e planit shumëvjeçar për bashkëpunim ekonomik të miratuar nga kryeministrat e vendeve ballkanike në Samitin në Trieste. “Projekt marrëveshja bazohet në dispozitën e Bashkimit Evropian për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe si e tillë do të kontribuojë ndaj inkuadrimit në Union”, theksoi sekretari i përgjithshëm i KRB-së, Goran Silanoviq.
Negociuesit e përgjithshëm nga ministritë dikasteriale nga vendet e Ballkanit Perëndimor, siç kumtoi KRB-ja, e kanë miratuar Planin e veprimit dhe kanë shfaqur pritje se marrëveshja mund të nënshkruhet deri në mes të vitit 2019, para samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, që vitin e ardhshëm mbahet në Poloni. Me njohjen e kualifikimeve profesionale do të mundësohet mobilitet më i madh në tregun e punës të Ballkanit Perëndimor.