Sebastian Vettel regjistroi fitoren e 5-të sezonale në Botërorin e Formula 1 pasi triumfoi në garën e Çmimit të Madh të Brazilit. I nisur nga vendi i dytë gjermani i Ferrarit zhvilloi një garë perfekte dhe në fund festa ishte e gjitha për të me Vettel që hodhi një tjetër hap të madh drejt sigurimit të vendit të dytë në klasifikimin e përgjithshëm pasi tashmë 4-herë kampioni i Botës në Formula 1 numëron 22 pikë më shumë se Bottas, kur mbetet vetëm një garë për t’u zhvilluar. I nisur nga pole-position finlandezi i Mercedes nuk arriti ta përballonte dot presionin që i ushtronte Vettel duke humbur vendin e parë dhe duke e mbyllur garën i dyti. Në Interlagos shkalla më e ulët e podiumit u plotësua nga Ferrari tjetër ai i Kimi Raikkonen me finlandezin që vuajti në xhirot e fundit presionin që i ushtronte kampioni saposhpallur i Botës, Lewis Hamilton nga pas. I nisur nga pit-stop britaniku i Mercedes zhvilloi një garë fantastike gjatë së cilës rikuperoi plot 15 pozicione duke u renditur i 4-ti, pasi nuk ia doli të parakalonte Raikkonen. Verstappen dhe Ricciardo dy pilotët e Red Bull ndanë mes tyre vendin e 5-të dhe të 6-të ndërsa Massa, Alonso, Perez dhe Hulkenberg kompletuan 10-shen e parë në garën e Brazilit.