Kombet e Bashkuara kanë publikuar një raport për situatën me emigrimet siç është parë në fund të vitit të kaluar, ku theksohet se numri i njerëzve dhunshëm të shpërngulur në rrafsh global ka arritur një numër rekord prej 65,6 milionë, raporton Anadolu Agency (AA). Raporti “Trendet Globale të Shpërnguljes” është përgatitur nga agjencia e OKB-ve, UNHCR, ndërkohë në të konfirmohet se në fund të vitit të kaluar në botë ka pasur 300.000 persona të shpërngulur më shumë se vitin paraprak. Në mesin e 65.5 milionë të shpërngulurve në rrafsh botëror, 22.5 milionë kanë statusin e refugjatit, ndërsa 40.3 milionë të tjerë kanë statusin e personave të shpërngulur intern dhe 2.8 milionë persona që kërkojnë azil. Për të tretin vit radhazi, Turqia është vendi i cili ka strehuar numrin më të madh të refugjatëve. Në të njëjtën kohë, Turqia është vendi i katërt në botë për numrin e aplikimeve të pranuara individuale për azil. Gjermania është vendi me numrin më të madh të aplikimeve të pranuara individuale për azil, dhe vitin e kaluar ka marrë 722.400 kërkesa të tilla. Vijojnë Shtetet e Bashkuara me 262.000, Italia me 123.000 dhe Turqia me 78.800 kërkesa të pranuara. Shteti i dytë në botë për nga numri i të strehuarve për personat dhunshëm të shpërngulur është Pakistani me 1.4 refugjatë, i ndjekur nga Libani i cili ka strehuar një milion refugjatë. Numri më i madh i refugjatëve janë nga Siria, 5.5 milionë, e ndjekur nga Afganistani, me 2.5 milionë refugjatë dhe Sudani i Jugut me 1.4 milion. Siria është gjithashtu një vend me një popullsi rekord prej 12 milion njerëz të zhvendosur me dhunë, duke përfshirë 5.5 milion refugjatë, 6.3 milion të zhvendosur brenda vendit dhe 185.000 azilkërkues. Siria ndiqet nga Kolumbia në të cilën ka 7.7 milionë persona të shpërngulur dhunshëm dhe Afganistani me 4.7 milionë. UNHCR paralajmëroi se të paktën dhjetë milionë njerëz në botë që janë pa shtetësi dhe se rrezikojnë të marrin epitetin e personave të shpërngulur në mënyrë të dhunshme.