Beograd, 29 tetor – Aeroplanë me tanke të dhuruara nga Rusia filluan të aterojnë në aeroportin Batajnica në Beograd.
Federata ruse i dhuroi Serbisë 30 tanke T-72MS, ndërsa të parat tashmë janë dorëzuar. Siç deklaroi ish-ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, Serbia tanket T-72 i mori si donacion në kuadër të marrëveshjes ushtarako-teknike të arritur midis presidentëve Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin.
Si pjesë e kësaj marrëveshje, Serbia krahas këtyre tankeve nga Rusia mori edhe automjete të tjera të blinduara, 30 automjete të blinduara BRDM-2, prej të cilave disa tashmë kanë arritur në Serbi.
Edhe tanket edhe BRDM-të u modernizuan para se t’i dorëzohen ushtrisë së Serbisë.
Eksperti ushtarak rus, Fjodor Boldirev vlerësoi se tanket T-72 që i mori Serbia “kanë bazë të përbashkët të T-72 sovjetike, por edhe disa përbërës të rinj të përbashkët dhe agregate të prodhimit rus, gjë që do ta lehtësojë shfrytëzimin e përbashkët në Serbi”.
“Për kushtet e Ballkanit, Serbisë nuk i nevojiten tanke më moderne, duke i pasur parasysh dobësitë e ushtrive të vendeve fqinjë”, deklaroi Boldirjov për Sputnik.
Si pjesë e bashkëpunimit ushtarako-teknik, Serbia u furnizua edhe me aeroplanë MiG-29, helikopterë Mi-17 dhe Mi-35 dhe sisteme për mbrojtje ajrore.