Tre aksidente trafiku për shkak të kushteve të pasigurta në rrugë kanë ndodhur dje dhe sot në autostradën dhe rrugën rajonale Tetovë – Shkup, informoi zëdhënësi i SPB Tetovë.
Sipas të dhënave të tij dy nga aksidentet janë shkaktuar nga qentë bredhacak në autostradë, ndërsa njëri nga gropa në rrugën rajonale nga ky drejtim rrugor. Përveç dëmeve materiale në to nuk ka persona të lënduar.
Dëmi më i madh është shkaktuar pasi automjeti i udhëtarëve “Fiat punto” me targa nga Gostivari i drejtuar nga A.N. (34) nga Gostivari rreth orës 6 në autostradën Tetovë-Shkup në afërsi të Karpallakut ka hasur, goditur dhe ka mbytur një qen. Nga goditja nuk ka pasur të lënduar në automjet, ndërsa është shkaktuar dëm material që vlerësohet në 30 mijë denarë.
Në të njejtën autostradë, por në afërsi të mbikalimit të Dobarskut një qen ka shkaktuar aksident trafiku edhe dje rreth orës 1. Qenin e ka goditur një automjet i udhëtarëve “Audi A4” me targa kërçovare, që e ka drejtuar 27-vjeçari A.T: (27) nga Kërçova. Në aksident nuk ka persona të lënduar dhe është shkaktuar vetëm dëm material i cili vlerësohet në 5000 denarë. Që në të dy vendet është realizuar ekspertizë e kompletuar nga ana e policisë dhe sipas informatave të deritanishme arsye për aksidentet është rrugë e pasigurt që ka mundësuar lëvizje të pakontrolluar të kafshëve.
Aksidenti i tretë i shkaktuar nga kushte të pasigurta në rrugë ka ndodhur dje rreth orës 11 në rrugën rajonale Tetovë – Shkup tek mbikalimi i Dobarkut kur një automjet i udhëtarëve “Mercedes” me targa shkupjane që e ka drejtuar I.A. (32) nga fshati Kopanicë i Shkupit, ka goditur në gropë në anën e djathtë prej ka i ka rënë rrotulla e përparme e djathtë. Policia realizoi ekspertizë dhe punon në konfirmimin e të gjithë veçantive derisa dëmi i shkaktuar material vlerësohet në 12 mijë denarë.
Sipas të dhënave policore vitin e kaluar në rajonin e SPB Tetovë kanë ndodhur gjithsej 118 aksidente trafiku për shkak të kushteve të pasigurta në rrugë. Numri më i madh prej tyre janë shkaktuar nga kafshë, para së gjithash nga qen-bredhacak dhe nga gropat ose dëmtimet nëpër rrugë ndërsa sipas vendit më shumë aksidente kanë ndodhur në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup.