Sidnei, 20 nëntor – Australia akoma lufton me zjarret në disa shtete ku mijëra amvisëri nuk kanë energji elektrike, mbi 100 shkolla janë mbyllur, ndërsa banorët e rrezikuar kërkojnë strehim pasi u hap një front i ri me zjarre, transmeton gazeta KOHA.
Në zjarret deri më tani jetën e humbën katër persona, ndërsa mbi 300 shtëpi janë shkatërruar.
Në shtetin Australia Jugore sot në mëngjes shpërtheu një front i ri me 50 vatra ndërsa niveli i alarmit është rritur në “katastrofal” pasi temperaturat i kanë tejkaluar 42 gradë Celsius.
Kjo do të thotë se në rast të zjarreve zjarrfikësit nuk do të mund ta mbajnë nën kontroll për shkak të kushteve të motit.
“Nga lindja e diellit deri natën vonë, ky shtet do të përjetojë kushte shumë të rënda për shkak të zjarrit”, deklaroi për Ej-Bi-Si ndihmës shefi i shërbimit të zjarrfikësve, Brenton Eden.
Mbi 600 zjarrfikës reaguan në shtet, ndërsa pritet të luftojnë me zjarret edhe gjatë natës.
Siç afrohej zjarri pranë largpërçuesve, energjia elektrike shkyçej për mbi 12.000 amvisëri.
Për shkak të zjarreve në bregun lindor të Australisë, Sidnei dje ishte mbuluar me re të dëmshëm të smogut.
Në zjarret pyjore në këtë zonë javëve të fundit u dogjën një milionë hektarë tokë e përpunueshme dhe vegjetacion i ulët.
Zjarret janë të zakonshme gjatë sezonit të thatë veror, ndërsa zjarret më të mëdha që e kanë goditur Australinë ndodhën në vitin 2009, me ç’rast jetën e humbën 173 persona ndërsa 414 janë lënduar.(koha.mk)