Akoma jetojmë në një mes të ndotur arsimor ku mbetjet e politikave virtuale vijnë e punësohen në pozita drejtorësh e dekanësh pa konkurse, ku rregulla ligjore e punësimit është varrosur qysh moti, ku më i dobëti, servili, partiaku çmohet më shumë se punëtori, kreativi dhe të gjithë ata që nuk pranuan të hyjnë në çadrën e asnjë partie, thotë profesori universitar, Arlind Farizi
Zenel MIFTARI
Shkup, 8 mars – Më 7 mars të vitit 1887 mësuesi Pandeli Sotiri në qytetin e Korçës hapi shkollën e parë shqipe pas ndodhive të Lidhjes së Prizrenit dhe trysnive të ndryshme nga pushtuesi i atëhershëm Osman. Që atëherë shkolla shqipe ka kaluar momente të vështira historike duke përfshirë dhe mësimin në podrume, shtëpi dhe shkolla të natës për të qëndruar sa më larg syrit të policisë për shkak se ishte koha kur mësimi shqip ishte i ndaluar dhe ilegal. Por sot kur kanë kaluar 134 vite nga hapja e shkollës së parë shqipe dhe nuk i kemi pengesat e njëjta si gjatë shekullit të kaluar nuk mund të themi se arsimi shqip është në gjendje të lakmueshme.
Profesori universitar Arlind Farizi, për gazetën KOHA ka deklaruar se arsimi te shqiptarët është personazhi më i përgjunjur para këpucëve plot vezullim të partive politike si dhe është nën mëshirën e ryshfeteve dhe punësime partiake. “Por shpirti ynë hund-hollë nuk merr erë nga didaktika dhe puna e mirëfilltë arsimore dhe as që ka idenë se si veprojnë dhe punojnë etnitë tjera më të civilizuara se ne. Ka humbur baraspesha e asaj se “si duhet” dhe “si shkon”. Kjo do të thotë se ne akoma jetojmë në një mes të ndotur arsimor ku mbetjet e politikave virtuale vijnë e punësohen në pozita drejtorësh e dekanësh pa konkurse, ku rregulla ligjore e punësimit është varrosur qysh moti, ku më i dobëti, servili, partiaku çmohet më shumë se punëtori, kreativi dhe të gjithë ata që nuk pranuan të hyjnë në çadrën e asnjë partie. Sot, në institucionet arsimore në Maqedoninë e Veriut, shumica e të punësuarve janë çifte bashkëshortore të cilët shpejt do e shpijnë shtëpinë e shenjtë të arsimit në një SHTËPI FAMILJARE, ku prej tash ua kanë rezervuar vendet e punës me VENDIM fëmijëve të tyre, disa ende të pa lindur”, deklaron profesori Arlind Farizi. Sipas tij, në shkollat tona sotpunojnë profesorë të cilët edhe pse të pranuar me vendim ne gjimnaze ligjërojnë lodhshëm në USHT e UEJL dhe as që e kanë ndërmend të lëshojnë njërin vend të punës sepse kjo i leverdis xhepit të tij të thellë sa s’bën.
Askush nuk po çanë kokën për studentët e diplomuar e të papunë, për të përkëdhelurit e po të këtyre profesorëve me mandate të përjetshme mësuesie, gjë që na bën të gjithë etninë tonë të ecë marshit të perspektivës së qorrsokakut. Ky imazh i arsimit shqip inicon ksenofobinë, izolacionin, zvogëlimin shpirtëror, dhe zvetënimin social të njeriut. Diploma të varura në mure për çështje dizajnimi të dhomës dhe symendueshëm ngjitur në tavan me idenë se ka duhet t’ja msyejmë, Avganistanit apo Danimarkës”, përfundoi për KOHA, Arlind Farizi, profesor universitar.
Nga ana tjetër, profesoresha Brunilda Shingjergji Kuçi, nga Sh.M.P.T. “Mosha Pijade” – Tetovë, për gazetën KOHA, është shprehur se ky vit ishte sfidues për arsimin në mbarë botën, por edhe më sfidues për ne ngaqë mungesa e teknologjisë te fëmijët bëri që ta vështirësojë paksa procesin edukativo-arsimor. “Arsimi te ne vitet e fundit ka përparuar duke qenë se i është dhënë përparësi goxha drejtimeve profesionale, por po mundohemi të ecim me metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Mbase herë pas here kemi hasur dhe vështirësi, por sfidat janë bërë t’u tejkaluar”, u shpreh profesoresha Shinjergji-Kuçi.
Ajo uron që në vitin e ardhshëm fillimin vitit shkollorë nxënësit ta presin në bankat shkollore.
Ndryshe, gjendja e arsimit shqip nuk është në gjendje të mirë as në Kosovë apo në Shqipëri. Sipas rezultateve të fundit nga PISA, Kosova renditet e treta nga fundi apo në vendin e 75, ndërsa Shqipëria gjendjet në vendin e 61 dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 67.