Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut sot i janë bashkuar 200 ushtarë të rinj profesionistë ku vendimet për punë u ndanë nga ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska në një ceremoni solemne në kazermën “Ilinden” në Shkup.
Ministrja dërgoi urime dhe shprehu kënaqësinë që ushtarët e rinj vendosën t’i shërbejnë atdheut.
“Jini krenarë sepse bëheni pjesë e një institucioni që është më i respektuari, institucioni më i vlerësuar që imazhin e vet e ka ndërtuar, pasi gjithmonë dhe kudo ka qenë i pari që ka ndihmuar qytetarët tanë, një armatë të fuqishme dhe të modernizuar dhe e aftë për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, kjo është Armata e RMV-së. Sot është një institucion që gëzon besimin më të madh te qytetarët dhe është një nder dhe obligim i madh për të gjithë ne. Për të patur sukses në këtë qëllim, nuk jeni vetëm, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtatmadhoria janë me ju. Detyra jonë është që të jeni të pajisur mirë për të punuar në kushte të shkëlqyera, të keni armë të reja dhe moderne, të keni paga që i përgjigjen punës, energjisë dhe njohurive tuaja”, tha Petrovska.
Ushtarët e rekrutuar, theksoi ajo, tani janë pjesë e familjes së NATO-s.
“Sot ju bëheni pjesë e diçkaje që është më e madhe se të gjithë ne, sot jeni pjesë e Aleancës së NATO-s e cila është një ombrellë sigurie për më shumë se një miliard njerëz në botë. Tashmë ju jeni ushtarë të NATO-s, do të keni mundësinë të merrni pjesë në trajnimet e NATO-s, të jeni pjesë e misioneve të ndryshme të NATO-s dhe të demonstroni të njëjtat aftësi dhe njohuri si kolegët tuaj”, deklaroi ministrja.
Ajo informoi se Buxheti i Mbrojtjes për vitin 2023 arrin 274 milionë euro.
“Këto janë mjete të cilat në baza të ndryshme janë të destinuara për rritjen e vazhdueshme të pagave, kompensimin e qirasë nga muaji i parë i marrjes së detyrës, blerjen e pajisjeve të reja të sofistikuara, kompensim për rritjen e pjesëmarrjes në misione, mbështetje për stërvitje”, theksoi ministrja.
Viktorija Jovanovska, e cila është një nga ushtaret e sapopranuar, theksoi se është nder dhe kënaqësi për të që të bart uniformën dhe t’u shërbejë qytetarëve.
“Është nder dhe kënaqësi të mbash këtë uniformë, ishte një motiv i madh për mua që të shërbeja vullnetarisht në ushtri në vitin 2019. I motivoj të gjithë të rinjtë që të vijnë të shërbejnë dhe punësohen, sepse kjo uniformë është një nder dhe ne jemi bashkë për të gjithë qytetarët në të ardhmen. Është një nder i madh dhe jo të gjithë mund ta bartin këtë uniformë. Ne jemi këtu për t’u shërbyer qytetarëve dhe shtetit”, deklaroi Jovanovska.
Shpallja publike për pranimin e ushtarëve të rinj profesionistë për të shërbyer në Armatë u publikua në shtator të këtij viti. Konform ndryshimeve të reja ligjore për shërbim në Armatë, ushtarët e ardhshëm profesionistë nga momenti i nënshkrimit të kontratës do të marrin pagë fillestare mbi 25.000 denarë me mbi 9.000 denarë shtesë – mjete për sigurim banesor nga 1 janari i vitit 2023.