Algjer, 2 mars – Rreth 2.000 studentë protestuan sot kundër autoriteteve algjeriane pavarësisht ndalimit të tubimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Për javën e dytë me radhë, protestuesit, të shoqëruar nga mbështetës dhe punonjës arsimor, ecën paqësisht nëpër rrugët e kryeqytetit, ku ishin vendosur njësi të shumta policore.
Studentët brohorisnin parullën e lëvizjes protestuese “Hirak”, protestat e së cilës filluan dy vjet më parë.
Protestat në Algjer filluan më 22 shkurt të vitit 2019 dhe çuan në dorëheqjen e presidentit shumëvjeçar Abdelaziz Buteflika. Por tubimet vazhduan edhe më tej ndërsa lëvizja protestuese kërkoi largimin e të gjithë zyrtarëve shtetëror.