Shkup, 5 janar – Nëpunësit doganorë në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup dje kanë penguar tentim për transferim të paligjshëm të 105 mijë eurove, kumtoi Drejtoria Doganore e Maqedonisë. Në aeroportin “Aleksandri i Madh”, dje për dalje nga shteti është paraqitur një shtetas i Maqedonisë M.L. i cili duhej të udhëtojë përmes Stambollit për në Dubai. Gjatë kontrollit të detajuar doganor të udhëtarit, në rripin nën bluzë i janë gjetur dy paketime të mbështjella me letër të bardhë. Në paketimet janë gjetur 107 mijë euro, theksohet në kumtesën nga Dogana. Në pajtim me Ligjin për punë devizore, personit i janë kthyer 2.000 euro, ndërsa 105.000 janë mbajtur përkohësisht. Kundër personit është shqiptuar procedurë kundërvajtëse. Shtetasit e Maqedonisë mund lirisht të transferojnë mjete devizore në kundërvlerë prej dy mijë eurove. Në procedurat kundërvajtëse të cilat janë vendosur gjatë vitit 2016 për shkak të mosrespektimit të Ligjit për punë devizore, Drejtoria Doganore përkohësisht mban deviza në kundërvlerë të denarit prej 604.394.199 denarë. Në lidhje me kundërvajtjet devizore të bëra në vitin 2016 ose vitet paraprake, por vendimet pas kundërvajtjeve janë bërë përfundimtare dhe të kryera në vitin 2016, në Buxhetin e RM-së vjet janë transferuar rreth 127,6 milionë denarë gjegjësisht deviza në kundërvlerë prej 2.081.758 euro.