Në 80 vjetorin e lindjes kujtohet shkrimtari Vehbi Kikaj, ekspozohen edhe librat e shkrimtarit

Për të shënuar Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është organizuar një aktivitet letrar për nderë të 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Vehbi Kikaj, përcjellë KultPlus.

Në orën letrare “Ora për Shkrimtarin” morën pjesë Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli, studiuesit dhe shkrimtarët Qibrije Demiri-Frangu dhe Xhevat Syla, shkrimtarë dhe nxënësit e shkollës fillore “Zenel Hajdini” nga Komuna e Podujevës që është edhe vendlindja e shkrimtarit Vehbi Kikaj si dhe nxënës të shkollës fillore “Faik Konica” nga Prishtina.

Në këtë ngjarje u promovua katalogu “Vehbi Kikaj në 80-vjetorin e lindjes” ku janë përfshirë 34 njësi bibliografike, konkretisht 28 librat e shkrimtarit, 5 librat e përkthyer të autorëve të ndryshëm nga Vehbi Kikaj si dhe librin e Mark Krasniqit, kushtuar Vehbi Kikajt.

Advertisements

Po ashtu në kuadër të aktivitetit të sotëm në ambientet e bibliotekës u hap ekspozita me librat e botuar në 30 vitet e tij të karrierës si shkrimtar.