Zejnulla VESELI
Shkup, 13 tetor – Nga fillimi i muajit tetor e deri më sot, ekipet e kompanisë energjetike EVN-Maqedoni kanë arritur të adaptojnë tarifën e lirë të energjisë elektrike në 400 mijë orëmatës nga gjithsejtë 800 mijë sa ekzistojnë në të gjithë territorin e Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Nga EVN-Maqedoni informojnë se deri në fund të këtij muaji do të adaptohen të gjithë orëmatësit e energjisë elektrike dhe se puna në terren e ekipeve do të zhvillohet përmes kontaktit fizik – në mënyrë individuale me orëmatësit e cila zgjatë prej 45 sekonda deri një minut, varësisht nga lloji i orëmatësit. Sipas EVN-së, realizimi i tarifës së lirë po bëhet gradualisht, varësisht nga grupi i ekipeve të cilës i takon konsumatori, e që paraprakisht janë të informuar përmes faturës së energjisë elektrike për muajin shtator se në cilën periudhë do të bëhet adaptimi i orëmatësit, në pajtueshmëri me planin e grupeve lexuese. “Tarifë e lirë ditore e rrymës elektrike do të jetë e mundur për të gjithë amvisëritë përfundimisht me muajin tetor. Ekipet e EVN-së gati dy javë janë në terren dhe deri më tani ka arritur me sukses të bëjnë adaptimin e tarifës së lirë nga ora 14 e deri në ora 16 çdo ditë punë për 400 mijë amvisëri, të cilat tanimë e shijojnë tarifën e energjisë së lirë, ndërsa deri në fund të muajit tetor – aksioni në terren do të përfundojë me sukses dhe gjithsej 800 mijë amvisëritë do të jenë të kyçur në tarifën e lirë të energjisë elektrike”, thonë për KOHA nga kompania EVN-Maqedoni. Në ekranin e njehsorit, në të cilin është kryer adaptimi i tarifës së lirë ditore, do të jetë aktiv indikatori i tarifës T2 në periudhën në ora 14-16 nga e hëna dhe deri të shtunën. Adaptimi për matje, sipas tarifës së lirë për të gjithë njehsorët në të cilët do të kemi qasje, nga EVN thonë se duhet të përfundojë deri në fund të muajit tetor. “Se të gjitha amvisëritë që tani më kanë orëmatës të adaptuar në tarifën e lirë për periudhe prej dy orëve brenda ditës, këtë mund ta vërtetojnë konsumatorët nëse dalin dhe në shohin në ekranin e orëmatësit. Nëse dalin në periudhën prej orës 14 e deri në orën 16 dhe shohin se ekrani i orëmatësit tregon harxhime të orë kilovatëve në indikatorin T2, atëherë bëhet fjalë për tarifë të lirë, ndërsa indikatori T1 tregon tarifën e shtrenjtë”, sqarojnë nga EVN. Në pyetjen se çfarë do të bëhet me konsumatorët, të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë qenë në shtëpi dhe për këtë – edhe orëmatësit e tyre ende nuk janë adaptuar në tarifën e lirë, nga EVN thonë se ekipet e saj në terren do të shkojnë sërish tek këta amvisëri dhe deri në fund të muajit tetor, të gjithë do të jenë të kyçur në tarifën e lirë ditore. “Te ata konsumatorë, të cilët për shkaqe të ndryshme nuk kanë qenë prezent në shtëpi kur ekipet e EVN-së kanë shkuar të adaptojnë tarifën e lirë në orëmatës, deri në fund të këtij muaji edhe njëherë do të shkohet tek ata dhe do të bëjnë adaptimin e tarifës së lirë edhe për këta orëmatës”, thonë nga EVN-ja. Ndryshe, kthimi i tarifës së lirë zbatohet në bazë të vendimit të Qeverisë së Maqedonisë miratuar 2 muaj më parë. Vlerësimet e para të ekspertëve për energjetikë janë se me kthimin e tarifës së lirë, të gjithë konsumatorët në të ardhmen do t’i marrin faturat për harxhimet të energjisë elektrike më të ulta për 30 deri më 40 për qind krahasuar me faturat e muajve të mëparshëm, por vetëm nëse do t’ju përmbahen periudhës kur harxhimi i energjisë elektrike është sipas tarifës së lirë. (koha.mk)