Laura PAPRANIKU
Shkup, 24 tetor – Pjesa më e madhe e atyre që arsimohen në Maqedoni janë të rinj të moshës deri 25 vjeç. Pas kësaj, duket se nuk ka një motiv edhe shumë të fortë për të vijuar me shkollimin (pas studimeve ose masterit) apo për të ndjekur trajnime të kohëpaskohshme përgjatë gjithë jetës, shkruan gazeta KOHA. Mbi 87 për qind e të shkolluarve, e mbyllin këtë kapitull në çerekun e parë të jetës së tyre, e shumta me përfundimin e studimeve universitare, të cilat nëse ndiqen pa ndërprerje dhe përfundojnë në moshën 23 vjeçare. Këtu nuk llogaritet kategoria e atyre që vazhdojnë studimet njëvjeçare të masterit profesional dhe dyvjeçare të masterit shkencor. Në rastet kur studentët që mbyllin ciklin deridiplomik, vazhdojnë menjëherë magjistraturën dhe kanë mundësi të kapin moshën rekord të përfundimit të studimeve me master 4+1 apo 3+2 në moshën 25 vjeç.
Shkollimi i përjetshëm, që në vendet e Bashkimit Evropian, është kthyer në model jetese për një pjesë të konsiderueshme të popullatës që jeton atje, nuk është bërë sa duhet popullor edhe në Maqedoni. Nga 1.180.558 banorë sa llogaritet të jetë popullata nga 25 deri 64 vjeç, vetëm 150.111 janë në proces të shkollimit ose ndjekin programe trajnimi dhe specializimi në profesionin që ushtrojnë. Pra, vetëm 12.7 për qind e kësaj popullate shkollohet në Maqedoni, sipas të dhënave për strukturën shkollore të popullatës në vitin 2016, përderisa 1.030.447 ose 87.3 për qind nuk kishin të bënin fare me procesin e mësimit. Madje, të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë trendin e rënies së intensitetit të këtij shkollimit me rritjen e moshës. Kështu, brenda kategorisë së popullatës në proces të shkollimit (150.111) thuajse gjysma e tyre janë nga 25 deri 34 vjeç, ndërsa me të shkuar më pas në moshë kjo përqindje zbret në rreth 30, 20 apo deri rreth 10 për qind te grupmosha e fundit.
Ekspertët e lidhin këtë situatë me gjasat që shohin njerëzit te tregu i punës varësisht moshës që ata përfaqësojnë, ndërsa ende më i thellë është hendeku i popullatës në proces shkollimi parë sipas mjedisi ku ata jetojë. Konkretisht, ka një epërsi të madhe të personave që jetojnë në zonat urbane sa i përket përfshirjes në proces në vazhdueshëm shkollimi, çdo herë në kategorinë e atyre që janë nga 25 deri 64 vjeç. Kështu, nga 150.111 që janë në proces të shkollimit, 114.784 ose 76.5 për qind jetojnë në mjedise urbane, kurse 35.237 ose 23 për qind në mjedise rurale. Ndërkaq, nëse popullata urbane (653.019) përbën 55.3 për qind të popullatës së përgjithshme të moshës nga 25-64 vjeç, në proces të arsimimit apo trajnimit janë të përfshirë 17.6 për qind e llojit të vet. Ndërkaq te popullata rurale (527.539) e cila përbën 44.7 për qind të popullatës së përgjithshme të moshës nga 25-64 vjeç, në proces të arsimimit apo trajnimit janë të përfshirë vetëm 6.7 për qind e llojit të vet, pra të popullsisë rurale.
Në kategoritë e ndërprerjes së popullatës nga 25 deri 64 vjeç, e cila gjendet në ndonjë nivel të caktuar shkollimi apo është në proces të trajnimit, specializimit, e kështu me radhë, përqindjen më të madhe e bën grupi i moshën nga 25 deri 34 vjeç. Në numrin e përgjithshëm të popullatës në këtë moshë, raporton KOHA, janë 324.820 persona. Prej tyre, 67.046 pra 20.6 për qind e asaj grup moshe janë duke ndjekur ndonjë shkollë të caktuar. E krahasuar me numrin e atyre që janë në proces arsimimi (150.111) i bie që gati gjysma e tyre ose më saktë 44.7 për qind të jenë të moshës nga 25 deri 34 vjeç. Te grupmosha nga 35 deri 44 vjet (306.714 persona) në proces arsimimi janë 41.993 veta, pra 13.7 për qind e grup moshës dhe 28 për qind e atyre që përgjithësisht anë në proces shkollim. Grupmosha nga 45 deri 54 vjeç (287.447 persona) ka në proces arsimimi 27.018 veta, konkretisht 9.4 për qind të grup moshës së vet dhe 18 për qind të atyre që janë në proces shkollim. Grupi i katërt që përfshin moshën nga 55 deri 64 vjeç (261.577 persona) ka në proces arsimi 14.055 veta dhe që përbën 5.4 për qind të grup moshës së vet dhe rreth 9 për qind të gjithë atyre që janë në proces të shkollimit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.