Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 dhjetor – Gazifikimi në Maqedoni, që si projekt paralajmërohet që nga viti 2007, akoma ka mbetur projekt i papërfunduar. Qytetarët, si duket do të duhet të presin së paku deri në vitin 2020 për të shfrytëzuar benefitet e ngrohjes më të lirë me gaz, shkruan gazeta KOHA. Pritet që me zgjidhjen e problemeve me tjetërsimin e tokës dhe pagesës së saj për pronarët si dhe ndërtimin e rrjetit sekondar, që në 2020 më në fund edhe të gazifikohet vendi. Paraprakisht, dështuan tre përpjekje për gazifikimin e tërësishëm të Maqedonisë. Në Maqedoni aktualisht po ndërtohen tre gazsjellës magjistral prej Shtipi deri në Negotinë, i gjatë 36 km, prej Negotinë deri në Manastir i gjatë 92 km dhe prej Shkupi deri në Gostivar i gjatë 76 km. Në periudhën e kaluar, u përfundua gazsjellësi prej Kleçovce të Kumanovës deri në Shtip, ndërsa në vitet 90-të të shekullit të kaluar u ndërtua lidhja me Bullgarinë dhe u sigurua gaz natyror për Kriva Pallankën, Kumanovën dhe Shkupin. Në kryeqytetin e Maqedonisë aktualisht shumë pak shfrytëzohet gazi natyror dhe atë vetëm nga një pjesë e industrisë, disa objekte shëndetësore, dhe shkollave fillore dhe të mesme në Shkup. Vonesa në ndërtimin e rrjetit sekondar pamundëson që edhe e amvisëritë të shfrytëzojnë gazin për ngrohje. Në ndërkohë , nga kompania shtetërore Resurset Energjetike të Maqedonisë thonë se në teren ekzistojnë probleme të shumta në realizimin e sipër të procesit të gazifikimit siç janë tjetërsimi i tokës në krahun Shkup-Tetovë-Gostivar dhe krahun prej Negotinë deri në Manastir. “Në fillim të shtatorit krahun Kleçovce deri në Shtip e kemi lidhur me gazsjellësin ekzistues të GAMA dhe në periudhën e ardhshëm do të ketë tender për përzgjedhjen e kompanisë me çka më në fund ai pritet të lëshohet në funksion deri në muajin prill të vitit 2018. Krahu i dytë prej Shtipi deri në Negotinë, është i ndërtuar mbi 85 për qind dhe përkundër problemeve më të vogla me tjetërsimin e tokës pritet të përfundojë deri në vitin e ardhshëm. Krahu prej Negotinë deri në Manastir është i ndërtuar me vetëm 14 për qind për shkak të problemeve të pazgjidhura pronësore –juridike që duhet të zgjidhen me pagesën e mjeteve prej afër 1 milion euro”, thotë drejtori i Resurseve Energjetike të Maqedonisë, Blagojçe Kotevski.
Sipas tij, për vitin 2018 janë siguruar 32 milionë euro për infrastrukturën e gazsjellësit si dhe të holla shtesë prej 10 milionë euro nga Resurset Energjetike të Maqedonisë, që janë dedikuar për tjetërsimin e tokës dhe çështjet e tjera pronësore –juridike. Pas zgjidhjes së problemeve pritet të intensifikohet ndërtimi edhe në krahun Shkup-Gostivar, ndërsa konform marrëveshjes me kryerësit e punës, pritet që tërësisht të ndërtohet rrjeti primar i gazit deri më vitin 2020 në tërë shtetin. Sipas projektit, gazsjellësi Shkup deri në Gostivar, do të jetë i gjatë 76 kilometra, me një krah për Tetovën në Leshnicë të epërme të gjatë 10 kilometra.
Në të ardhmen, sfidë për ekzekutivin në nivel lokal dhe qendror mbetet shtrirja sa më e madhe e përdorimit të gazit, rritja e numrit të përdoruesve në amvisëri, duke u ofruar çmime të kapshme për kyçje në rrjet, me qëllim të përdorimi masovik të gazit për ngrohje. Nga Resurset Energjetike të Maqedonisë, thonë se në bazë të ndryshimeve të paralajmëruara të Ligjit për Energjetikë, çdo komunë dhe qytet vetë do të kenë obligimin për ndërtimin e rrjetit sekondar që sjell energjensin deri tek konsumatorët në bazë të studimit fizibiliti, që do të tregojë se sa mjete nevojiten, si dhe mënyrën e gazifikimit. Ekziston mundësia që nëse komunat punojnë në mënyrë paralele me pushtetin qendror që amvisëritë të fitojnë gaz në vitin 2020. Ndryshe, njohësit e energjetikës presin përfitime të shumta si ekonomike dhe ekologjike nga gazifikimi i Maqedonisë ku vendi duhet të fitojë energjens më të lirë, prodhimtaria industriale me gaz do të sjellë edhe prodhime më të lira dhe më konkurruese në treg. Gjithashtu, gazi do të ndikojë në rritjen e konkurrencës në sektorin e energjetikës për të ulur më tej çmimin e energjenseve të tjera. (koha.mk)