Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 shkurt – Dogana e Maqedonisë edhe në vitin e kaluar po vazhdon me trendin pozitiv të mbushjes së arkës së shtetit. Në vitin 2017, Dogana shënon rritje prej shtatë për qind në pagesën e të gjitha detyrimeve si kompensimet për import dhe import , tatimet dhe pagesat e tjera në raport me vitin paraprak, shkruan gazeta KOHA. Bile ky institucion i rëndësishëm shtetëror që mbush më shumë se një të tretën e arkës së shtetit, vjet ka grumbulluar një miliardë e 268 milionë euro apo 88 milionë euro më shumë se në vitin 2016 kur janë grumbulluar një miliardë e 180 milionë euro.
Edhe në vitet e kaluara , Dogana shënon rritje të grumbullimit të kompensimeve për import dhe eksport të mallrave si dhe transitit të mallrave. Në vitin 2016 janë realizuar të ardhura prej afër 73 miliardë denarë që është për afër 6 miliardë denarë më shumë se në vitin 2015. Në vitin 2016 janë realizuar të ardhura prej 42 miliardë nga TVSH, të ardhura prej afër 4.8 miliardë denarë nga dogana dhe të ardhura prej 25.4 miliardë denarë nga akcizat.
Në ndërkohë , lidhur me rezultatet e fundit të punës, kjo drejtori në vitin 2017, vetëm në emër të doganës ka paguar afër 84 milion euro, si rrjedhojë e rritjes së importit të vajrave mineral dhe derivateve të naftës, makinerive , pajisjeve dhe pjesëve të ndryshme , pemë-perimeve , duhanit dhe mishit. Njëherazi shënohet rritje prej 9.4 për qind e të ardhurat të paguara nga Tatimi i Vlerës së shtuar për importin e mineraleve,vajrave mineral dhe derivateve të naftës, makinerive elektrike dhe pajisjeve të ndryshme , hekurit dhe çelikut , duhanit etj.
Si rrjedhojë e rritjes së importit të këtyre prodhimeve në emër të Tatimit të Vlerës së shtuar në 2017-ën, janë paguar afër 747 milionë euro. Nga akcizat janë paguar afër 426 milionë euro, ndërsa rritje shënon pagesa e të gjitha kategorive të prodhimeve që i nënshtrohen pagesës së akcizës si veturat, vajrat mineral, alkooli dhe prodhimet alkoolike si birra, vera dhe prodhimeve të duhanit si cigaret. Nga kompensimet e tjera janë paguar afër 11 milion euro.
“ Rritja e të ardhurave i detyrohet më shumë treguesve si rritja e disiplinës financiare e të gjithë pjesëmarrësve në tregti, bashkëpunimin e institucioneve që kryejnë kontrollet në tregun e brendshëm si Drejtoria për të Ardhura Publike dhe Inspektorati shtetëror i tregut etj “thonë nga Dogana e Maqedonisë .
Nga atje shpjegojnë se rezultate të mira në punën e tyre janë arritur edhe me avancimin e sistemit për menaxhimin me rrezikun të doganës apo arritjen e më shumë rezultateve me më pak kontrolle . Edhe pse në shikim të parë diçka e tillë duket kontradiktore që me më pak kontrolle fizike dhe të dokumenteve të arrihen rezultate më të mëdha nga Dogana, shpjegojnë se rezultatet vijnë edhe nga kontrollet e orientuara tek kompanitë pas përfundimit të procedurave apo post kontrollet. Kur kontrollohet malli “në rrota” apo në kamion, kontrollohet vetëm një dërgesë. Nga ana tjetër , kur kontrollohet puna e kompanisë, realizohet kontroll i tërë punës së kompanisë në aspektin e doganës për një kohë më të gjatë apo për një vjet.
Këto kontrolle në mënyrë të vazhdueshme kryhen edhe tek kompanitë që kanë leje për thjeshtësimin e procedurave doganore. Gjithashtu edhe përmirësimi i sistemeve të brendshme të kontrollit ndikon në rritjen e pagesës së kompensimeve të ndryshme doganore. Ndihmon në rritjen e të ardhurave edhe ndjekja e vazhdueshme e gjendjes me pagesën e të ardhurave buxhetore ku ndërmerren në rast nevoje edhe masa për tejkalimin e problemeve eventuale gjatë pagesës së të ardhurave. (koha.mk)