Omer XHAFERI
Shkup, 30 tetor – Përveç mungesës së investimeve serioze kapitale në Komunën e Çairit dhe të Sarajit, udhëheqja e kaluar e Qytetit të Shkupit, fare pak është angazhuar në rritjen e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në administratën e qytetit, shkruan gazeta KOHA. Mos respektimin e parimit të përfaqësimit ligjor të shqiptarëve në administratën e Qytetit të Shkupit, më së miri e dëshmojnë të dhënat zyrtare nga adresa elektronike e kësaj njësie të posaçme të vetëqeverisjes lokale. Konform normave dhe dispozitave ligjore, organizimi i punës në Administratën e qytetit është i ndarë në 17 sektorë, në të cilën sipas të dhënave të gazetës KOHA, janë të angazhuar mbi 420 të punësuar. Ndërkohë, kur jemi te numri i të punësuarve shqiptarë në këtë administratë, siç mëson gazeta KOHA, ai nuk e kalon as 10 përqindëshin nga kolektivi i përgjithshëm i të punësuarve, respektivisht prej 34 shqiptarëve të punësuar asnjëri nuk është drejtues sektori. Diskriminimi i shqiptarëve me mos-përfaqësimin adekuat në nivelin vertikal dhe atë horizontal në Qytetin e Shkupit, paraqet fotografinë më të mirë të punës së ish kryetarëve të qytetit, në drejtim të përmbushjes së kërkesave dhe nevojave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Shkup, me theks të posaçëm të atij shqiptar. Krahas menaxhimit me administratën, detyrë e Këshillit të Qytetit të Shkupit, është mbikëqyrja dhe organizimi i strukturave udhëheqëse në shtatë ndërmarrje publike dhe tetë institucione kulturore që funksionojnë në kuadër të qytetit. Gjendja faktike, kur jemi te përfaqësimi i shqiptarëve, qoftë në ndërmarrjet publike apo në institucionet kulturore, është në një situatë të mjerueshme. Përderisa flasim për mënyrë e organizimit të ndërmarrjeve publike në kryeqytet, shqiptarët si etnitet i dytë me numër më të madh të banorëve në kryeqendër mund të lavdërohen vetëm me drejtim e Ndërmarrjes publike “Higjiena Komunale”. Nga ana tjetër, postet udhëheqëse të ndërmarrjeve tjera publike, bordet drejtuese dhe këshilla mbikëqyrës pothuajse 99 për qind drejtohet nga kuadro tjerë, po vetëm jo shqiptar. Ngjashëm si në këtë pjesë të strukturës organizative të Qytetit të Shkupit, gjendja e përfaqësimit të shqiptarëve aspak nuk është më e mirë te institucionet kulturore. Në mesin këtyre institucioneve mjaftë të rëndësishme për mbarëvajtjen e jetës kulturore të banorëve të Shkupit, drejtuesit shqiptarë mund t’i hasësh vetëm në Qendrën Informative Kulturore. Ndryshe, udhëheqja e re e Qytetit të Shkupit, në krye me Petre Shilegovin, pritet që mbledhjen e parë të Këshilli të qytetit ta caktojë pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Shumicën prej 45 këshilltarëve (asamblistëve) në zgjedhjet e mbajtura me 15 tetor e fitoi LSDM-ja. Përbërja e re e Këshillit komunal në Shkup, do të përbëhet nga 21 këshilltarë nga LSDM-ja, 17 nga VMRO-DPMNE, 3 këshilltar do të t’i ketë BDI, 2 Lëvizja Besa dhe nga 1 këshilltar ju ka takuar Aleancës për Shqiptar dhe Partisë Levica. Sidoqoftë, edhe pse partitë shqiptar në këtë përbërje të re do të kenë minus dy këshilltarë (nga 8 që i patën më herët tash do t’i kenë 6), prapë se prapë numri i shqiptarëve në këtë Këshill do të jetë mbi dhjetë. Për dallim nga listat e këshilltarëve nga vitet e kaluara, Besim Limani dhe Agon Saiti, janë këshilltarë shqiptar në radhët e LSDM-së. Ndërkohë, për çudi është fakti se në radhët e VMRO-DPMNE-së, kësaj radhë janë zgjedhur tre këshilltar shqiptarë, gjegjësisht Muhamed Ameti, Erxhan Selimi dhe Mirdita Saliu janë këshilltarët shqiptarët nga radhët e opozitës maqedonase.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.