Seanca e radhës është caktuar për më 4 dhjetor me fillim në ora 10.00, ndërsa Florim Misimit i është përcaktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve
Urim HASIPI
Tetovë, 9 nëntor – Trupi gjykues në seancën për incidentin në Reçicë të Vogël, kur gjatë një shkëmbimi zjarri mbeti i vrarë Naip Rexhepi, ka vendosur të mos e pranojë kërkesën e avokatëve mbrojtës të familjes Misimi për sigurimin e bisedave telefonike para se të ndodhte incidenti. Avokati mbrojtës, Ibrahim Bajrami, pas seancës së djeshme tha se disa prova janë pranuar, por disa janë refuzuar nga Trupi gjykues, shkruan gazeta KOHA.
“Sot ishte seanca e radhës, ku në procedurën shtesë u dëshmua se provat e paraqitura në seancën e kaluar e që kanë të bëjnë me personat të cilët i mbrojmë ne, ku një pjesë të provave u pranuan nga trupi gjykues. Një provë të cilën ne e propozuam e ajo është sigurimi i bisedave telefonike mes të akuzuarve në këtë proces gjyqësor, nuk u pranua, edhe pse si mbrojtës të familjes Misimi, mendojmë se do të ndikojë dukshëm në kuptimin e asaj se kush e ka shkaktuar këtë ngjarje dhe kush ka qenë shkaktuar për pasojat e dhimbshme që ndodhën më pas”, tha Bajrami, avokati i familjes Misimi nga Kumanova.
Po ashtu, dy dëshmitarë të fshehur që ishin propozuar nga avokatët mbrojtës, nuk janë pranuar, sepse dëshmitarët e fshehur janë tërhequr që të japin dëshmi. “Trupi Gjykues vendosi që kjo provë të mos sigurohet, kurse ne propozuam edhe dy dëshmitarë të fshehur, për shkak se ne siguruam deklaratat e tyre në bazë të nenit 307 të Kodit penal, kurse ata për shkaqe te sigurisë personale, nuk pranuan dhe kanë të drejtë të mos japin deklarata edhe në gjyq. Këtë propozim tonë prokurori e refuzoi”, tha avokati Bajrami.
Në ndërkohë, ndaj njërit prej të akuzuarve në këtë rast gjyqësor, gjegjësisht Florim Misimit, është bërë rikualifikim i akuzës nga ana e prokurorit. Ai tashmë akuzohet për veprën “vrasje në tentativë”. “Prokurori bëri ndryshimin e përshkrimit të akuzës ndaj njërit prej të akuzuarve nga familja Misimi, gjegjësisht Florim Misimi, ku edhe prokurori kërkoi shqiptimin e paraburgimit për shkak të mundësisë së ikjes, gjë të cilën ne e kundërshtuam. Fillimisht, ai ishte akuzuar për pjesëmarrje në rrahje që me përgjegjësi e them që ky kualifikim ndaj pjesëtarëve të familjes Misimi absolutisht nuk qëndron, sepse kur jemi në fazën përfundimtare të procesit gjyqësor, asnjë provë nuk orienton nga ajo se ka ndodhur rrahje. Ndaj të dyshuarit u bë ndryshimi i akuzës në tentim për vrasje”, tha Bajrami.
Ndërsa Sejfulla Osmani, avokat o palës tjetër të involvuar në këtë rast, respektivisht familjes Dervishi dhe Rexhepi, tha se seanca u prolongua për shkak të rikualifikimit të akuzës ndaj njërit prej të akuzuarve. “Gjatë seancës së sotme kishim disa propozime të parashtruara nga pala mbrojtëse, që Trupi gjykues llogariti se janë të parëndësishme. Kemi një zgjerim të aktakuzës nga ana e prokurorit, në të cilën pjesa tjetër, pra pala mbrojtëse – kërkoi prolongim të seancës për tu prononcuar në lidhje me ndryshimin e bërë nga prokurori. Bëhet fjalë për ndryshim të aktakuzës në drejtim të Florim Misimit, nga ‘pjesëmarrje në rrahje’ në ‘vrasje në tentativë’”, deklaroi Osmani.
Seanca e radhës është caktuar për më 4 dhjetor me fillim në ora 10.00, ndërsa Florim Misimit i është përcaktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Në incidentin e armatosur më 5 prill të këtij viti në Reçicë të Vogël jetën e humbi Naip Rexhepi, ndërsa u plagos Florim Misini. Prokuroria e Tetovës paraprakisht kishte ngritur akuzë kundër 13 personave për pjesëmarrje në incidentin e armatosur që kishte ndodhur jo larg selisë së BDI-së. (koha.mk)