Anketa më e re e BRIMA Galup tregon se pas formimit të Qeverisë së re, ka ndryshime drastike në rejtingun e partive. Kështu, sipas kësaj ankete, në bllokun politik shqiptar – Bashkimi Demokratik për Integrim radhitet e para me 26.6% duke e lënë pas Lëvizjën BESA, e cila ka rejting prej 15.8% dhe LR-PDSH me 15.5%. Tek blloku politik maqedonas, LSDM ka epërsi prej 2.6% ndaj VMRO-DPMNE-së dhe për herë të parë pas shumë vitesh – partia e Zaevit ka një epërsi në anketa edhe atë duke arritur në nivelin 22.4% e pasuar nga VMRO-ja me 19.8%. Edhe pse partia e Gruevskit ka epërsi prej 0.9%në segmentin etnik tek maqedonasit, LSDM ka epërsi në elektoratin e përgjithshëm me 2.6%, sepse LSDM-në e mbështetin 6.3% e elektoratit shqiptarë, por edhe të etnive tjera me 15.1% në krahasim me partinë e Gruevskit. Duhet të kihet parasysh se çdo i pesti qytetar është i papërcaktuar, ndërsa anketa është realizuar pas zgjedhjes së Qeverisë së re prej datës 2 deri 12 qershor. Gjithashtu, rezultatet e kësaj ankete tregojnë se ka ndryshime edhe në rejtingun e politikanëve. Sipas këtyre rezultateve, në bllokun politik shqiptar – Ali Ahmeti ka epërsi ndaj Ziadin Selës dhe Bilall Kasamit. 23.8% e shqiptarëve të anketuar kanë thënë se kanë besim tek lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i pasuar nga Sela me 15.9% dhe Bilal Kasami me 13.9%. Në bllokun politik maqedonas, Zaevi ka tejkaluar Gruevskin dhe ka rejting prej 17.7% apo për 4.7% më tepër se lideri i VMRO-së, i cili ka rejting prej 13%. Zaevi ka epërsi në të gjitha segmentet e anketës ndaj Gruevskit. Vlen të theksohet se sipas rezultateve, 29.8% e qytetarëve të anketuar nuk ka besim tek asnjë politikan në Maqedoni.