Evis HALILI
Shkup, 27 nëntor – Financimi i aktiviteteve kulturore do të jetë një prej sektorëve prioritarë edhe për vitin e ardhshëm. Trashëgimia, manifestimet, talentet e reja, eurointegrimet… janë disa prej zërave që do përfitojnë më shumë gjatë vitit të ardhshëm, duke lënë në hije botimet, apo filmin, shkruan gazeta KOHA. Sipas projektbuxhetit të Qeverisë që pritet të miratohet, mjetet që planifikohet t’i akordohen Ministrisë së Kulturës dhe financimit të aktiviteteve nga sfera e kulturës është 113 milionë denarë më i madh sesa ai i vitit 2017. Por nëse për vetë institucionin buxheti është reduktuar, financimi i aktiviteteve kulturore në të gjithë sektorët e kulturës është rritur ndjeshëm. Ashtu si edhe u paralajmërua nga drejtues të këtij institucioni, për ndryshime në prioritete dhe politikat e zhvillimit të kulturës një gjë e tillë mund të shihet edhe në vetë shumat që akordohen për zëra të veçantë.
TOP LISTA E VEPRIMTARIVE
Filmi apo botimet dhe muzika nuk gjenden në top listën e veprimtarive të financuara më shumë, ashtu si vitet e tjera. Pa ndonjë reduktim të ndjeshëm të buxhetit janë Drama, Folklori, ndërsa zëra të tjerë si Trashëgimia, Manifestimet kulturore artistike, Muzetë, Talentet e reja, Eurointegrimet janë prioritet e reja ku do të shkojë pjesa më e madhe e buxhetit. Buxheti që planifikohet për këtë vit është relativisht i madh, sidomos po të krahasohet me atë të vitit 2017 që ishte mbi 600 milionë më i madh për shkak të përfundimit të një numri të madh projektesh kapitale, apo i cilësuar ndryshe si viti i inaugurimeve. Pjesa më e madhe e buxhetit për financimin e aktiviteteve i dedikohet Aktivitetit muziko-skenik me më shumë se 2 miliardë denarë dhe po ashtu një rritje të madhe të buxhetit do të ketë edhe për manifestimet kulturore. Një zë i ri i shtuar këtë vit janë “Programet multidisiplinare”, për të cilat do të vihet në dispozicion një fond prej 28 milionë denarësh. Veprimtaria muzeale po ashtu bën dallim, si një zë që do t’i jepet prioritet gjatë 2018-s. Bashkëpunimi ndërkombëtar si edhe Eurointegrimet janë dy zëra të tjera për të cilat Ministria e Kulturës do të vërë në dispozicion buxhet më të madh. E dyfishuar është edhe mbështetje për Talentet e reja, që parashikon një fond prej 4 milionë denarë. Procesi i decentralizimit dhe i transferimit të kompetencave do të vazhdojë. Buxheti i akorduar për vitin e ardhshëm është më i madh, afro 250 milionë denarë.
Për vitin e ardhshëm buxheti është rritur edhe për projektet që lidhen me financimin e kulturës shqiptare. Nëse deri në fund të vitit nuk do të ketë ndryshime dhe rebalanc të fondeve të parashikuara, mbështetja që do t’i jepet dy projekteve kapitale është dyfishuar, për përfundimin e Teatrit Shqiptar të Shkupit dhe vijimin e punimeve për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë vazhdojnë të figurojnë si projekte që duhet të realizohen edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm. Po ashtu si një investim tjetër më i madh është themelimi i një Ansambli shtetëror shqiptar të këngëve dhe valleve, sipas modelit “Tanec”. Po ashtu edhe vënia në funksionim e Qendrës së Kulturës në Komunën e Likovës, projekt ky që zvarritet prej shumë vitesh. Ndonjë dallim të madh nuk ka për buxhetet e Shtëpisë së Alfabeti (pak i reduktuar), apo Qendrën e Konservimit në Gostivar. Po ashtu për projekti për Kalanë e Tetovës, i cili është mbyllur pa u përfunduar edhe këtë vit nuk gjendet në prezantimin e bërë nga Ministria e Kulturës.
ANSAMBLI SHQIPTARË ME SELI NË SHKUP
“Mirëpres debatin shoqëror rreth nismës sonë së kamotshme për themelim të Ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve shqipe në Maqedoni. Ky ansambël do të jetë përfaqësues i kulturës tonë autoktone, me të gjitha nishanet dhe ashtu si duhet dhe ashtu si presin profesionistët e lëmisë”, shkruan deputeti i BDI-së, Artan Grubi në profilin e tij në Facebook, ndërsa ka informuar se ky Ansambël selinë do ta ketë në Shkup. (koha.mk)