Evis HALILI
Shkup, 22 dhjetor – Kriteret dhe kushtet për emërimin e drejtorëve në institucionet nacionale të kulturës do të ndryshojnë, shkruan gazeta KOHA. Po ashtu, edhe për artistët e kuadrin profesionit në institucione. Ministria e Kulturës ka dorëzuar në Komisionin e Kulturës në Parlament një paketë me propozime, ku ndër të tjera kërkohet që të anulohet kushti për testimin psikologjik dhe integritetit të kandidatit, posedimi i një certifikate për gjuhë të huaj për artistët dhe profesionistët në institucione, kushti për komisione me artistë nga jashtë vendit, e të tjera. Ndryshimet në postet drejtuese në shumë institucione janë paralajmëruar prej kohësh, fillimisht ato u shtynë për shkak të zgjedhjeve lokale, por edhe nga kufizimet ligjore, duke sjellë kështu që numri i drejtorëve provizorë, ose ushtruesve detyre të jetë i madh.
Por, kjo paketë propozimesh që janë cilësuar si urgjente nga ministri Allagjozovski janë vetëm fillimi për ndryshimin rrënjësor që pritet të pësojnë tre ligjet, të Kulturës, Trashëgimisë dhe Filmit, ose zëvendësimi i tyre me ligje krejtësisht të reja. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e rishikimit të tyre me themel gjatë vitit të ardhshëm, pasi një gjë e tillë po kërkohet nga ekspertët e kësaj fushe.
“Të tre këto ligje ekziston mundësia që të hapen për t’u diskutuar në debat publik gjatë vitit të ardhshëm dhe të miratojmë ligje krejtësisht të reja të cilat do t’i tejkalojnë mangësitë e akumuluara të këtyre ligjeve, të cilat kryesisht janë miratuar me procedura të përshpejtuara dhe në mungesë të një debati të vërtetë”, ka thënë ministri në Komisionin e Kulturës.
Sa i takon kushteve për emërimet e drejtorëve, përfshirë edhe atë të Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe Agjencisë së Filmit, me ndryshimet e propozuara do të duhet që kandidati krahas certifikatave të tjera të posedojë APTS për posedimin e gjuhës angleze, si një vërtetim me kosto ekonomike dhe po aq valid sa të tjerët. Po ashtu është kërkuar që kandidatët për drejtorë të mos i nënshtrohen testit për integritet dhe atij psikologjik, për shkak se janë dëshmi shumë formale dhe realisht askush nuk mund t’i sigurojë. Sa i takon drejtorit të Agjencisë së Filmit Ministria e Kulturës kërkon që të ndryshohet Ligji për veprimtarinë filmike, përkatësisht të reduktohet koha që i lihet në dispozicion drejtorit për të korrigjuar gabimet e konstatuara. Nëse nuk eliminohen për gjashtë muaj, ai do të shkarkohet nga detyra.
Në Ligjin e Kulturës kërkohet të anulohet kriteri që i obligon artistët, ose stafin artistik, apo profesionist të një institucioni që të posedojnë certifikata për njohjen e gjuhëve të huaja, pasi një gjë e tillë nuk jep asnjë kontribut pozitiv në profesionalizmin e artistit. Edhe përbërja e komisioneve me pesë anëtarë që vendosin për punësimet e artistëve në institucione do të ndryshojë. Nëse më parë kërkohej që katër nga pesë anëtarët të ishin nga jashtë vendit, Ministria e Kulturës e tërheq domosdoshmërinë e përbërjes së këtij komisioni.
“Propozohet që jo domosdoshmërish të kenë katër anëtarë nga jashtë, pasi angazhimi i artistëve të huaj për çdo procedurë punësimi me audicion dhe për procedurën e reaudicionit është treguar në praktikë si e ndërlikuar dhe me faturë të lartë financiare për institucionet. Propozohet që jo gjithmonë të jenë të detyruar që të angazhojnë anëtarë nga jashtë vendit, por jo edhe në rast nevoje, kur bëhet fjalë për kuadër artistik deficitar”, thuhet në paketën e propozimeve. Si pjesë e ndryshimeve, është edhe afati kohor për marrjen e titullit këshilltar i bashkëpunëtorëve profesionistë, që nga gjashtë vjet bëhet në tetë vjet. (koha.mk)