Shkup, 2 mars – Një lloj i ri i ndryshkut që i sulmon drithërat dhe në mënyrë drastike i pakëson rendimentet, nga Italia po zgjerohet drejt Kroacisë dhe Serbisë, paralajmëroi Oda e Agrobiznesit pranë Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE) dhe bën thirrje që gjendja të ndiqet me vigjilencë, si dhe të ndërmerren masa preventive me kohë për mbrojtje, shkruan gazeta KOHA. Bëhet fjalë për të ashtuquajturin ndryshku i kuq, që deri më tani nuk ka qenë i pranishëm në Maqedoni, por është i njohur në Evropë. “Është mirë që këto ditë bujqit dhe fitopatologët të jenë në terren dhe me kujdes ta ndjekin gjendjen në mënyrë që të reagohet me kohë, në mënyrë preventive, nëse konfirmohet se ka nevojë. Është e domosdoshme, gjithashtu, edhe trajtimi me fungicide, kur do të vlerësohet se kushtet kohore janë të volitshme”, tha kryetari i Odës, Ognen Orovçanec. Ai përmendi se vitin e kaluar në Itali ndryshku i kuq i ka ulur rendimentet për 70 për qind. Sëmundja është paraqitur në Sicili. Edhe mediumet serbe shkruajnë se kjo, siç e quajnë, sëmundje e re, jashtëzakonisht destruktive dhe agresive, këtë vit do të mund të përhapet në rajon. Sipas tyre, FAO rekomandon se në këtë moment është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi i ekspertëve nga institucionet ndërkombëtare dhe nga shtetet të cilat prodhojnë grurë për përballjen me përhapjen e sëmundjes. (koha.mk)