Njerëzit nuk kanë problem me njëri-tjetrin! Njerëzit kanë problem me shtetin! Nuk duan më asnjë një gjurmë, as një qelizë të politikës hajdute, zhvatëse, kriminale, zhvilluar nga njerëz ja të këqij, ja të sëmurë! Historia e Ballkanit është shumë e ndërlikuar, është e padrejtë dhe kaotike, por në Maqedoni ka popuj dhe etni që tashmë me zë të lartë duan shtet që kujdeset për ta duke mos lejuar që e kaluara e sherreve etnike, e padrejtë dhe e stisur t’ju vrasë të Ardhmen!
Nga Dr. Arben TARAVARI
Ndër ndjenjat më të këqija dhe më shumë të provuara sot e mot në historinë njerëzore, është ajo e Hakmarrjes! Në shumë fise, tribu, klane e deri qytetërime Hakmarrja është trajtuar si Kult. Çfarë është kjo ndjenjë që shkakton dhimbje e viktima?! Është dëshira (nëse kjo fjalë mund t’i përshtatet hakmarrjes), pra është dëshira që ka një person për t’i shkaktuar dhimbje dikujt që i ka dhënë po të njëjtën dhimbje?! Kjo sigurisht që është një format e para dhe më të drejtpërdrejta të hakmarrjes, natyrisht e kuptueshme por aspak e përligjshme…mirëpo e keqja thelbësore e kësaj ndjenje të padrejtë është që ajo shpesh nuk ka lidhje aspak me shpagim të dëmit të shkaktuar.
Kryesisht ajo lidhet me njerëz të cilët, mbushur me frustracione të mëdha kanë deformime të personalitetit të atilla që nuk janë kurrë të aftë të provojnë lumturi, dhe ju duket sikur të gjithë të tjerët janë përgjegjës për apatinë e tyre njerëzore. Formula e tyre për t’u ndjerë disi të ngopur është rrënimi i të tjerëve deri në mjerim, pasi vetëm aty, sipas tyre, meriton të qëndrojë çdokush që ka guxuar të jetë i lirë apo i lumtur…lumturia e të tjerëve për këta pacientë që fatkeqësisht shpesh herë bëjnë gjithçka për të mbajtur funksione të larta, pra mirëqenia e njerëzve për këta njerëz është triger (shkaktar) i krizave të xhelozisë e më pas të hakmarrjes së pashpirt e të pafund! Sa më keq të tjerët, aq më keq ata! Latinët do të thonin ndryshe: mors tua, vita mea- që përkthehet- vdekja jote, jeta ime!
Ky grup individësh, njësoj si një grusht qelizash kancerogjene, mund të jetë i vogël por dëmin e ka të madh! Vende të varfra si ato ballkanike kanë ditur të fabrikojnë shpesh nga këto individë klinikë, të cilët të zhveshur nga çdo aftësi për të shijuar solidaritetin, dashurinë, respektin apo empatinë, kanë qenë të paskrupull duke shitur e shkelur çdo gjë të shtrenjtë vetëm e vetëm që të kenë pushtet e para, sepse këto dy të fundit janë të vetmet që mendja e tyre e sëmurë mendon se i bën të rëndësishëm…mirëpo sigurisht që as paraja dhe as pushteti nuk kanë garantuar kurrë lumturinë, madje të kundërtën në shumë raste, ndaj nuk gjejnë rehat këta pacientë që kanë vepruar mbi popujt e pafajshëm që jetojnë në këtë vend. Pra, shkencarisht me probleme psikopatike, ata kanë vepruar të lirë duke u bërë ligjërisht fajtor! Dhe nuk është rasti për t’i dhënë ngjyra etnike këtyre lloj individësh, ata as nuk bashkohen dhe as nuk ndahen dot as nga etnia, as nga besimi fetar, madje as nga fisi apo bërthama (ADN-ja), sepse ata nuk i kuptojnë këto veti dhe për këtë shkak as nuk i durojnë konceptet e tilla, ata mund të jenë të lindur nga familje shqiptare, nga familje maqedonase, nuk ka rëndësi, ata bashkohen nga dy të dhëna të mëdha: Hakmarrja dhe Mania për Pushtet!
E para është një deformim patologjik, ata nuk janë në gjendje të dallojnë se kush janë të mirët apo të këqijtë, ata ndihen inferiorë skajshmërisht para çdokujt që është i shëndetshëm mentalisht. Ndjenja e inferioritetit është e bezdisshme, xhelozia është deri fatale, hakmarrja është e tmerrshme, për të thonë se edhe në rastin më të drejtë është gjithnjë- thikë me dy presa! Të zënë në kurthin e këtyre ndjenjave të tmerrshme këta individë nuk kanë rrugëdalje dhe ajo që urrejnë më shumë është Lumturia e të Tjerëve!
Si u cek më lart, zakonisht persona me të tillë virtyte karakteri, janë të prirur të jenë në poste drejtuese. Në një shtet të varfër si i yni, ku ligji dhe spitalet nuk kanë funksionuar dhe ende nuk funksionojnë, njerëz të tillë kanë marrë shpesh herë edhe drejtimin e shtetit! Pasojat e të tilla qeverisjesh as nuk kemi nevojë t’i imagjinojmë, pasi fatkeqësisht i kemi parë dhe ende i shohim! Me një zgjuarsi djallëzore qeveritarë të tillë kanë injektuar kinse “çështje kruciale”, me fjalë të tjera kanë stisur e nxitur konflikte, duke bërë njerëzit të futen në rrjet me këmbët e tyre!
Nga më të famshmit dhe më i suksesshmi ka qenë prodhimi i konfliktit ndëretnik! Mendje të tilla të programuara sikur nga ndonjë strategji asgjësuese, kanë proklamuar gjithë kohë urrejtje ndaj shqiptarëve dhe maqedonasve! Po sa aktuale është kjo?! A mundet gjithë kjo prapësi ndëretnike, e projektuar nga qeveritarë që në fakt duhet të shkonin ja në burg ja në spital, të jetë ende funksionale?! Jo! Njerëzit duke u hutuar dhe mashtruar nga këto retorika gjoja “kombëtarisht dinjitoze” u bënë vegla të mendjeve të sëmura…më vjen keq ta them por i përzunë fëmijët e tyre vet! Në këtë vend i cili duket se shërimi po i vjen pas një lëngate të madhe, si shqiptarët, si maqedonasit, si turqit apo bullgarët, çdokush pra, ka nevojë për një sistem të ri, që ju siguron të paktën: një jetë normale!
Secili nga popujt apo etnitë që gjenden në këtë vend nuk besoj se ka pasur apo ka më shumë dëshirë që të merret me emrin, fenë, ngjyrën, racën apo gjuhën e një kombi, në vend që të rris të lumtur fëmijën e vet! Nuk mendoj se maqedonasit kanë ndonjë problem me gjuhën shqipe apo kombin shqiptar, madje historia ka treguar që pavarësisht njerëzve kriminalë që na kanë drejtuar, viktimë kryesore nuk ishim vetëm shqiptarët por dhe vet maqedonasit që u shndërruan në marioneta të hutuara që bërtisnin kundra lirisë së një populli ndërkohë që politikanët drejtues ju vidhnin paratë e bukës bashkë me të ardhmen…por populli mbijetoi! Sot është aq i kthjellët sa janë në kërkim të etur të politikanëve mendjeshëndoshë e të përgjegjshëm! Sot nënat shqiptare, maqedonase, turke, rome apo bullgare bashkohen nga malli dhe lotët për djemtë e nipërit që jetojnë në mërgim, nga varfëria e tejskajshme që kanë këtu, nga dëshira e madhe që të vij Ndryshimi! Njerëzit duan ekonomi, shkolla, spitale, pensione e rrugë më të mira! Këtë e duan të gjithë, shqiptarë e maqedonas e çdokush tjetër që jeton në këtë vend! Nëse ke mirëqenie respekti ndëretnik është i garantuar! Mirëqenia vjen sigurisht nga drejtimi i njerëzve të ndërgjegjshëm dhe nga dëbimi njëherë e përgjithmonë i mentalitetit politik kriminal! Çdo grimcë e tij e trashëguar në pallatin e Shkupit do të penalizohet rëndë me votë!
Populli do të çojë ja në burg – ja në spital të gjithë fajtorët e kësaj gjendje, qofshin në ata që gjenden zyrave të komunave, qofshin ata që gjenden në Qeveri! Njerëzit nuk kanë problem me njëri-tjetrin! Njerëzit kanë problem me shtetin! Nuk duan më asnjë një gjurmë, as një qelizë të politikës hajdute, zhvatëse, kriminale, zhvilluar nga njerëz ja të këqij, ja të sëmurë! Historia e Ballkanit është shumë e ndërlikuar, është e padrejtë dhe kaotike, por në Maqedoni ka popuj dhe etni që tashmë me zë të lartë duan shtet që kujdeset për ta duke mos lejuar që e kaluara e sherreve etnike, e padrejtë dhe e stisur t’ju vrasë të Ardhmen!
Këtë shkrim dua ta mbyll me një thënie që më pëlqen shumë nga një etërit themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një nga të preferuarat e mia dhe thotë: “Kujdesi për jetën njerëzore dhe jo shkatërrimi i saj… është i pari dhe i vetmi qëllim legjitim i një qeverisje të mirë!” (Tomas Xheferson)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)