Ndryshimi i motit dhe gripi mbushin spitalet!

Edhe pse temperaturat e mëngjesit janë të ulëta, gjatë ditës ato po arrijnë deri në 17 gradë, diçka e pazakontë për këtë periudhë të vitit. Pasi që kjo nuk është një karakteristikë e njohur për këtë periudhë të vitit po ndikon që më të shpeshta të jenë edhe problemet shëndetësore të qytetarëve

 

Besa IBRAIMI

Shkup, 21 janar- Kombinimi i gripit sezonal me ndryshimet e motit ka bërë që ditët e fundit të mbushen spitalet me pacientë. Edhe pse temperaturat e mëngjesit janë të ulëta, gjatë ditës ato po arrijnë deri në 17 gradë, diçka e pazakontë për këtë periudhë të vitit. Pasi që kjo nuk është një karakteristikë e njohur për këtë periudhë të vitit po ndikon që më të shpeshta të jenë edhe problemet shëndetësore të qytetarëve. Që kjo është e njëjtë si për personat e sëmurë kronikë ashtu edhe për personat e shëndetshëm e konfirmoi edhe dr.Margareta Atanasovska-Tripunovska, specialiste në mjekësinë e përgjithshme pranë Ndihmës së Shpejtë në Shkup. “Ndryshimi i motit ka ndikim mbi shëndetin prandaj qytetarët mund të përballen me marramendje, dhimbje koke, dhe nxitje për të vjella. Për shkak të ndikimit që ka ndryshimi i motit mbi rritjen e tensionit të gjakut edhe kolapset janë më të shpeshta pasi organizmi nuk mund të përshtatet me ndryshimet e motit”, thekson Atanasovska-Tripunovska.

Advertisements

Rekomandimet që ajo ju jep qytetarëve janë që të jenë të qetë, të mos kenë frikë dhe të pushojnë, në mënyrë që trupi të mund përshtatet. Si pasojë e kombinimit të Kovid-19 me ndotjen, mjaftueshëm i rritur është edhe numri i qytetarëve që kanë simptoma të gripit sezonal si temperatura e lartë e trupit dhe kollitja. Sipas mjekëve, kjo në fakt është një tregues se sistemi imunitar po punon fort për ta luftuar infeksionin.

Atanasovska-Tripunovska theksoi se temperatura e lartë e trupit zakonisht nuk është një gjendje e rrezikshme dhe kalon për një kohë të shkurtër, pa medikamente speciale, ndërsa ndihmë mjekësore duhet kërkuar vetëm në rast se për tre ditë rresht temperatura është më e lartë se 39 gradë. Rekomandimet janë që të pihet mjaftueshëm lëngje dhe ujë, të hahet ushqim i cili tretet më lehtë, pushimi dhe dush me ujë të vakët. Përndryshe të dhënat e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPH) tregojnë se nën ndikimin e aktivitetit cikloneve dhe një sërë valësh të lagështa ajrore, do të vazhdoj periudha e motit të ndryshueshëm me vranësira dhe reshje të kohëpaskohshme shiu. “Për periudhën në vijim presim reshje të shiut dhe bubullima në disa vende, si dhe kohë pas kohe nga drejtimi jugor një erë të fortë që shkon mbi 70km/h, e cila do të kushtëzojë mot të ngrohtë për këtë periudhë të vitit”, njoftojnë nga DPH. Rënie më të ndjeshme temperaturat mund të pësojnë gjatë fundjavës. (koha.mk)