Në pjesën e dytë të vitit 1988, Millosheviqi e klika e tij serbomadhe ngriti iniciativën edhe për ndryshimin e Kushtetutës, e cila u realizua në fillim të vitit 1989, me të cilin ndryshim Kosovës iu morë autonomia e fituar në vitin 1974. E gjithë kjo politikë antishqiptare shkaktoi revoltë të madhe anembanë viseve shqiptare nën pushtimin jugosllav, e cila revoltë filloi më 17 nëntor 1988 me marshin protestues të minatorëve të minierës “Trepça”, i cili më pas u shndërrua në protesta dhe demonstrata mbarëshqiptare në Kosovë
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Kapitulli i parë parashihte ndërmarrjen e masave urgjente brenda institucioneve të sistemit politik të Krahinës, për gjoja “mënjanimin e shkeljeve” të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë dhe mbrojtjen e lirisë dhe të drejtat e qytetarëve” në KSA të Kosovës. Në kuadër të këtyre masave, kërkohej ashpërsimi dhe konkretizimi i përgjegjësisë personale e kolektive të udhëheqjes politike dhe të kuadrit profesional kosovarë, diferencimi i palëkundshëm për kuadrot që punonin në organet e administratës dhe të drejtësisë, por edhe në të gjitha fushat tjera, në radhë të parë në arsim, shkencë, kulturë, informimin publik dhe njësive të mbrojtjes territoriale, dhe në mënyrë ultimative kërkohej largimi nga puna, të atyre për të cilët “dëshmohej” se gjoja kishin “nxitur dhe nxisin urrejtje dhe jotolerancë nacionale, konflikt ndërnacional, apo të cilët me veprimet e tyre cenojnë barazinë nacionale, vëllazërim bashkimin”. Për realizimin e këtyre masave represive ndaj popullsisë shqiptare ngarkohej Kuvendi Krahinor dhe kuvendet komunale të Kosovës.
Në nënkapitullin “Bashkëpunimi profesional dhe ndihma në kuadër”, kërkohej nga të gjitha republikat federale si dhe nga KSA e Vojvodinës, të dërgojnë sa më parë që ishte e mundur “kuadër profesional” në organet e punëve të brendshme dhe në gjyqësi, dhe për këtë arsye të hartonin programe të veçanta “për sigurimin e atij kuadri” si dhe plane për angazhimin dhe dërgimin e tyre në Kosovë. Që këtij kuadri t’i mundësohej krijimi i marrëdhënieve të rregullt të punës, apo emërim të përkohshëm në Kosovë, kërkohej që Kuvendi federativ dhe ato republikane dhe krahinore të siguronin baza ligjore. Nga sekretariatet për punë të brendshme federative, republikane e krahinore, kërkohej të bëjnë zbulimin dhe analizimin e “burimit dhe reproduktimit të nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, ndërsa nga Gjyqi federativ kërkohej që prioritet të kishin lëndët nga Kosova, veçanërisht për lëndët penale “nga kriminaliteti politik e ekonomik” sidomos në rastet kur në mosmarrëveshje palët ishin të nacionaliteteve të ndryshme. Përveç kësaj, ngarkoheshin prokuroritë publike të Kosovës, Serbisë dhe të Jugosllavisë, që mbi bazë të Ligjit për marrëdhënie obliguese të “shqyrtojnë kontratat për shitjen e pasurisë së patundshme në KSA të Kosovës” dhe njëkohësisht të vlerësonin se të njëjtat a janë “arritur nën presion” dhe menjëherë të ndërmarrin masa për revizionin e atyre kontratave “për shitjen e pasurisë së patundshme” të cilat gjoja se ishin arritur “nën presion”.
Në lidhje me fushën e jurisprudencës, kërkohej sjellja e Ligjit federativ me të cilin do të rregullohej përdorimi zyrtar i gjuhëve të kombësive, përkatësisht të gjuhës shqipe me Kushtetutën e RSFJ-së, si dhe Ligji federativ përmes së cilit do të rregullohej grumbullimi, evidentimi dhe përpunimi i të dhënave të rëndësishme për realizimin e programit jugosllav.
Nga Sekretariati Federativ për Punë të Jashtme dhe atij për Informim si dhe sekretariatet përkatëse republikane e krahinore kërkohej hartimi i programeve për aktivitete informative-propagandistike, apo të ripërpunoheshin dhe plotësoheshin programet ekzistuese për botën e jashtme për shkak siç thuhej “mënjanimit të pasojave negative të propagandës antijugosllave nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar dhe veprimit të emigracionit armiqësor shqiptar”.
Kapitulli i dytë parashihte ndërmarrjen e masave ekonomike, sociale dhe politike. Në të ndër të tjerave thuhej se gjendja në Kosovë karakterizohej me “ashpërsimin” e problemeve në zhvillimin shoqëror-ekonomik e social me “tendencë të ashpërsimit të mëtutjeshëm”. Më tej thuhej se “ndërprerja e shpërnguljes së serbëve e malazezëve nga Kosova, kthimin më të shpejtë të atyre që e kanë lëshuar dhe ardhjen e të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në Kosovë” do të “kontribuonte” në stabilizimin ekonomik e social në Kosovë. Në këtë kapitull është me interes t’i referohemi pikës 58, ku thuhet tekstualisht që “parcelat, shtëpitë dhe banesat e njerëzve të shpërngulur e të cilët kthehen në Kosovë si dhe personat që pasuri të tillë posedojnë jashtë Kosovës, ndërsa jetojnë e punojnë në Kosovë, t’i blejnë bashkësitë shoqërore-politike jashtë Kosovës, ose organizatat e bashkuara punuese t’u mundësojnë pronarëve të atyre pronave të patundshme që me ato mjete e të tjera të ngrejnë objekte banesore në territorin e KSA të Kosovës që ata kthehen, përkatësisht ku tash jetojnë dhe punojnë në Kosovë”. Po aq me interes është edhe pika 59, ku në mënyrë të hapur e arbitrare kërkohej ndryshimi i planeve urbanistike të tokës shoqërore, me qëllim të mundësimit të shpërndarjes së parcelave për ndërtimin e shtëpive nëpër fshatra e lagje për serbët e malazezët të cilët na paskan shprehur “dëshirë” për t’u kthyer në Kosovë.
Kapitulli i tretë përfshinte fushën arsimore, kulturore, shëndetësore, demografike dhe sociale. Në fushën e arsimit parashikohej që gjuha serbe të futej si lëndë obligative nga klasa e parë për shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, gjuha shqipe për shkollat me mësim në gjuhën serbe. Në këtë fushë është me interes të veçohet kërkesa për miratimin urgjent të programit të përbashkët të shqipes si gjuhë amtare dhe programit të edukatës së muzikës për shkollat fillore e të mesme me mësim në gjuhën shqipe nga territori i RS të Maqedonisë, RS të Malit të Zi, RS të Serbisë dhe KSA të Kosovës dhe të fillohet me përdorimin e tyre “në suazat e planeve e programeve të veprimtarisë edukativo-arsimore”. Pa dyshim se një kërkesë e tillë kishte për qëllim që autoritetet komuniste jugosllave të kenë kontroll të rreptë ndaj plan-programeve mësimore në këto dy lëndë me qëllim që të njëjtat nga lëndë që duhej ta trajtonin trashëgiminë kulturore e arsimore shqiptare, të shndërroheshin në lëndë që do ta trajtonin kulturën dhe trashëgiminë e huaj, përkatësisht atë sllave. Në këtë fushë parashikoheshin edhe një sërë programesh tjera, si p.sh. programi për bashkëpunimin ndëruniversitar, programi për dërgimin e kuadrit të “nevojshëm” nga republikat federative dhe Vojvodina për në Kosovë, programi për dhënien e bursave dhe kredive për studentë jashtë Kosovës të cilët do të studionin në Universitetin e Prishtinës dhe anasjelltas. Përveç kësaj, nga organet përgjegjëse arsimore-kulturore republikane të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi si dhe nga ato krahinore të Kosovës, kërkohej vëzhgimi dhe analizimi i përbashkët i planeve, programeve dhe të librave shkollor fillor e të mesëm, në mënyrë të veçantë të kryejnë hulumtimin e përbashkët për grupin e lëndëve shoqërore për të verifikuar se “sa janë përballur dhe pranuar përmbajtjet programore në të cilat është ndërtuar vëllazërim bashkimi, patriotizmi jugosllav, e kaluara e lavdishme e përbashkët e LNÇ-së dhe revolucioni…etj”.
Në fushën e mbrojtjes shëndetësore kërkohej hartimi dhe miratimi i programeve speciale ku prioritet duhej t’u jepej mjediseve me përbërje të përzier nacionale, d.m.th., në mjediset ku jetonte popullsia serbe e malazeze, apo siç thuhej në ato mjedise ku “shpërngulja” ishte më e shprehur dhe “ku ajo pjesë është e pazhvilluar”. Sa i përket lëvizjeve demografike kërkohej që Komiteti federativ për punë, shëndetësi dhe mbrojtje sociale në bashkëpunim me organet kompetente republikane e krahinore të “përgatisin programin operativ të masave për politikën sociale” me të cilat duhej të ndikohej në planifikimin e familjeve në Kosovë. Në kapitullin e katërt përshkruhej mënyra e realizimit të programit jugosllav kushtuar Kosovës. Në të ndër të tjerave ngarkoheshin: Kuvendi i RSFJ-së, kuvendet e republikave dhe kuvendet e krahinave autonome t’i shqyrtonin rregullisht raportet e organeve të tyre ekzekutive për realizimin e programit në fjalë si dhe të Platformës politike të KQ LKJ-së për Kosovën, Rezolutën e Kongresit të XIII të LKJ-së, Konkluzionet e mbledhjes së nëntë të KQ LKJ-së, konkluzionet dhe masat e aksionet e Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së si dhe konkluzionet e Kuvendit të RSFJ-së dhe kuvendet e RS të Serbisë dhe KSA të Kosovës. Krejt në fund kërkohej nga Kuvendi i RSFJ-së të themelonte komision të veçantë për vëzhgimin e zbatimit të këtij Programi jugosllav për Kosovën, si dhe për koordinimin e masave e aktiviteteve të parapara për realizimin e këtij programi, i cili do të ishte si trup i përhershëm punues i dy dhomave të Kuvendit të RSFJ-së, i përbërë nga delegatët e të gjitha republikave dhe krahinave autonome.
Në përputhshmëri me Programin jugosllav për Kosovën, gjatë vitit 1987/88, nga ana e institucioneve partiake e shtetërore federative, republikane e krahinore u sollën një sërë programesh operative kundër popullit shqiptar nën Jugosllavi në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti. Si shembull po i paraqesim disa pika më të theksuara të “Programit operativ” të Sekretariatit Federativ për Punë të Brendshme, përkatësisht UDB-ës jugosllave:
“- zbulimi dhe pengimi i veprimtarisë subversive ilegale etj., të nacionalistëve e separatistëve shqiptarë në krijimin e kushteve të vështira të jetesës së serbëve e malazezëve dhe të komuniteteve tjera joshqiptare në Kosovë;
– përcjellja dhe hulumtimi i metodës, formës, kryerjes dhe prapavijës së të gjitha formave të shtypjes së orientuar kah shpërngulja;
– hulumtimi i burimit të financimit të veprimtarisë së nacionalistëve e separatistëve shqiptarë si dhe burimi i mjeteve financiare për blerjen e pronave të serbëve e malazezëve me çmime shumë të larta;
– hulumtimi i lidhjeve të nacionalistëve e separatistëve shqiptarë me shërbimin sekret shqiptar dhe emigracionin armiqësor shqiptar dhe të aksioneve konkrete të shtypjes së orientuar në shpërnguljen e serbëve e malazezëve, me qëllim të krijimit të një Kosove etnikisht të pastër;
– zbulimi dhe analiza e burimit dhe formës së rëprodoktivitetit të nacionalizmit e separatizmit shqiptar.
…Për shkak domosdoshmërisë së realizmit të këtyre detyrave angazhohen shërbimet e sigurimit shtetëror të mbarë sekretariateve republikane e krahinore për punë të brendshme, duke u nisur nga gjendja e rëndë e sigurisë, çështja e metodologjisë së veprimtarisë së mëtejshme është shqyrtuar në mbledhjet e sekretariateve Federative, republikane e krahinore për punë të brendshme, ndërsa pas kësaj edhe në mbledhjet e drejtuesve të shërbimit sekret shtetëror të SFPB-së, SRPB-së, SKPB-së, duke i përfshi edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Sigurisë së Sekretariatit Federativ për Punë të Brendshme, Drejtorinë e II të Forcave të Armatosur të RSFJ-së dhe Shërbimin për hulumtim dhe dëshmi pranë Sekretariatit Federativ për Punë të Jashtme.
– U vendosë që detyrat e ShSSh-së nga lëmi i çështjes së sigurisë në Kosovë, përveç tjerash, të zgjidhen edhe metodat e veprimtarisë së përbashkët, për çka në Programin e punës të ShSSh-së së SFPB-së është paraparë organizimi i punës së përbashkët të ShSSh-së të SFPB-së, ShSSh-së të SRPB-së të RS të Serbisë, RS të Maqedonisë, RS të Malit Të Zi dhe SKPB të KSA të Kosovës në zbulimin dhe pengimin e aktivitetit të shërbimit sekret të RPS të Shqipërisë dhe organizimin e aktiviteteve zbuluese ndaj RPS të Shqipërisë, përkatësisht qendrave nga ku kryhet propaganda më e theksuar subversive dhe veprimtaritë tjera armiqësore ndaj RSFJ-së.
– Në Program të ShSSh-së të SFPB-së, gjithashtu është paraparë ndërmarrja e inspektimit të pjesshëm dhe të jashtëzakonshëm të ShSSh-së të SFPB-së dhe të ShSSh-së të SKP-së së KSA të Kosovës, ShSSh-së së SRPB-së të RS të Maqedonisë, RS të Serbisë dhe RS të Malit të Zi në veprimtarinë kundër-zbuluese ndaj shërbimit informativ shqiptar, emigracionit armiqësor shqiptar dhe organizimin e veprimtarisë zbuluese ndaj RPS të Shqipërisë”. Plane dhe programe speciale u hartuan edhe kundër mërgatës shqiptare në përgjithësi, e të organizatave të tyre politike në veçanti. Një ndër ta është edhe “Programi i veprimtarisë së Sigurimit Shtetëror të SFPB-së” për vitin 1989, ku në pjesën ku bën fjalë për emigracionin politik shqiptar veç tjerash thuhet:
“ShSSh-ë (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror – Q.L.) gjatë veprimtarisë do ta harmonizoj punën e ShSSh-së të SRPB-së dhe të SKPB-së (Sekretariatit Republikan për Punë të Brendshme dhe Sekretariatit Krahinor për Punë të Brendshme – Q.L.) në zbulimin, përcjelljen, dokumentimin dhe pamundësimin e veprimtarisë së emigracionit armiqësor shqiptar, do t’i koordinoj masat ndaj organizatave kryesore të emigracionit – Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare dhe Lidhjen Kosovare, përmes përpunimeve me prioritet, aksioneve dhe kombinimeve operative, hulumtimeve operative, rrjetit të bashkëpunëtorëve, aksioneve propagandistiko-psikologjike etj…”.
Duke u ndal në përndjekjen dhe përcjelljen e aktivitetit e të veprimtarisë së LPRK-së, në program shprehimisht thuhej:
“Do të harmonizohen masat dhe veprimtaritë e ShSSh-së të SRPB-së dhe të SKPB-së përmes përpunimeve prioritare, aksioneve e kombinimeve. Veçmas ndaj udhëheqjeve të fraksioneve të LPRK-së në Zvicër, RF të Gjermanisë, Suedi dhe ShBA, si dhe futjen dhe përforcimin e pozitave të bashkëpunëtorëve kualitativ (‘Trigllav’, ‘Arton’, ‘Laborant’, ‘Riki’, ‘Adet’, ‘Hetam’, ‘Svera’, ‘Askona’, ‘Flaka’)…”.
Në pjesën e dytë të vitit 1988, Millosheviqi e klika e tij serbomadhe ngriti iniciativën edhe për ndryshimin e Kushtetutës, e cila u realizua në fillim të vitit 1989, me të cilin ndryshim Kosovës iu morë autonomia e fituar në vitin 1974. E gjithë kjo politikë antishqiptare shkaktoi revoltë të madhe anembanë viseve shqiptare nën pushtimin jugosllav, e cila revoltë filloi më 17 nëntor 1988 me marshin protestues të minatorëve të minierës “Trepça”, i cili më pas u shndërrua në protesta dhe demonstrata mbarëshqiptare në Kosovë. Në ato demonstrata të cilat zgjatën deri më 21 nëntor të atij viti, qindra mijëra shqiptarë dolën nëpër rrugët dhe sheshet e Kosovës për ta mbrojtur Kushtetutën e vitit 1974, duke brohoritur parullat: “Jetën e japim – Kosovën se japim”, “Nuk e japim Kushtetutën nga viti 1974”, “Rroftë Kushtetuta e vitit 1974”, “Tërë Kosova është çu në këmbë që Kushtetutën e vitit 1974 mos me e ndërru”, “Kosovë po se po – Metohi jo se jo”, etj. Sekretariati Krahinor për Punë të Brendshme njoftonte se vetëm më datë 18 nëntor në Prishtinë kishin arritur në këmbë mbi 60 mijë demonstrues shqiptarë nga të gjitha vendbanimet e Kosovës, prej tyre 40.000 ishin vendosur në stadiumin e qytetit, ndërsa 20.000 të tjerë protestonin para Komitetit Krahinor. Ishin të kota masat e ndërmarra nga udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, për pengimin e tubimeve masive të popullsisë shqiptare dhe për pengimin e ardhjes së organizuar të tyre në Prishtinë. Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës njoftonte se demonstruesit shqiptarë ishin këmbëngulës ndaj “kërkesave të veta”, duke mos iu përgjigjur apeleve dhe thirrjeve për shpërndarje, nga ana e strukturave të atëhershme udhëheqëse kosovare.
Demonstratat shqiptare në mbrojtje të Kushtetutës së vitit 1974, të cilat siç u tha më lartë, në Kosovë shpërthyen në nëntor të vitit 1988, për të vazhduar edhe gjatë muajve shkurt-mars 1989, udhëheqja komuniste jugosllave i vlerësoi si demonstrata kundrërevolucionare me elemente “të kryengritjes së armatosur, të orientuar drejtpërdrejti kundër rregullimit kushtetues dhe integritetit të RSFJ-së”. Ajo më tej shprehej se ato demonstrata, ishin në përputhje të plotë me “strategjinë e përgjithshme të nacionalizmit shqiptaro-madh për veprimtari të organizuar në drejtim të destabilizimit të Jugosllavisë, në rrënimin e integritetit të saj territorial dhe shkëputje të pjesëve të saj, në të cilat jetojnë pjesëtarët e kombësisë shqiptare dhe bashkangjitjen e tyre me Shqipërinë”. Për komunistët e Beogradit, Shkupit e Prishtinës, përbënte një befasi, përkatësisht “tragjedi” fakti se ato demonstrata hasën në mbështetje të fuqishme tek inteligjenca shqiptare, e cila doli haptas në mbrojtje të kërkesave legjitime të demonstruesve shqiptarë. Sekretari Krahinor për Punë të Brendshme, Rrahman Morina, në fjalimin e tij të mbajtur më 17 janar 1989 në Beograd, ndër të tjerave akuzoi disa intelektual shqiptarë, në radhë të parë akademik Rexhep Qosen, i cili siç do të shprehet “në kohë të fundit ka çuar krye”, duke dalë publikisht kundër masave të dhunshme në Kosovë: “…Pra, ata dalin nëpër gazeta, ata dalin në opinion, madje kemi raste që të tillët propozohen nëpër aktivitetet zgjedhore në vend të disa punëtorëve të dalluar shoqëror-politik, të cilët janë dëshmuar se janë për këtë Jugosllavi, për luftën kundër nacionalizmit shqiptar etj. Të tillët (konkretisht si Qosja etj.) propozohen. Kjo është tragjedi…”. (fund)