Viteve të kaluara, vaksinimi është kryer kah mesi i muajit tetor, kurse këtë vit ka vonesa me fillimin e vaksinimit. Mjeku Bekim Ismaili thotë se nuk është ndonjë problem, sepse edhe kushtet klimatike kanë qenë të mira
Urim HASIPI
Tetovë, 19 nëntor – Ndryshimet e shpeshta të motit kohëve të fundit kanë ndikuar në shëndetin e të gjithëve, duke mos kursyer askënd, por ato që më së shumti i prek dhe tangon janë të sëmurët kronik dhe më të vegjlit. Sipas mjekëve, më së shumti ndihmë kërkojnë personat që kanë probleme me sistemin e frymëmarrjes, personat me sëmundje kardiovaskulare, të sëmurit nga astma, ato me imunitet më të dobët dhe normalisht të vegjlit pasi që ata nuk dinë që vet të mbrohen për veten e tyre, shkruan gazeta KOHA.
Kështu është edhe këtyre ditëve tek mjekët amë, të cilët janë të stëmrbushur me pacientë. Zakonisht, në këtë periudhë paraqitet edhe gripi sezonal, por deri më tash nuk ka informacione për epidemi të gripit. Mjekët rekomandojnë që personat e sëmurë rregullisht të marrin terapinë e caktuar nga mjeku amë, të konsumojnë sa më shumë ujë, lëgje, pemë dhe perime, si dhe të vishen në mënyrë adekuate varësisht temperaturave. Ndonëse zyrtarisht në Tetovë nuk ka epidemi të gripit, megjithatë ftohjet janë të zakonshme në këtë periudhë, prandaj ka edhe fluks të pacientëve, thotë mjeku Bekim Ismaili.
“Me ndryshimin e temperaturave rritet numri i pacientëve me virozë sezonale. Nuk është ndonjë rritje enorme e pacientëve, ky fluks është i zakonshëm, të cilët janë të prekur nga virozat sezonale dhe vijnë kërkojnë ndihmë tek klinikat tona. Sipas informacioneve që kemi dhe nga ajo që jemi të detyruar të paraqesim informata në Qendrën për Shëndet Publik, nuk ka grip. E mira e kësaj është se tashmë do të fillojë edhe vaksinimi kundër gripit. Është mirë që pacientët që janë të moshës mbi 65 vjeçare të vijnë të mjekët amë, gratë shtatzëna, fëmijët, të cilët janë të liruar nga pagesa e kësaj vaksine, kurse ata që paguajnë vaksinën duhet që vaksinimin ta kryejnë në Qendrën për Shëndet Publik”, thotë mjeku Bekim Ismaili.
Viteve të kaluara vaksinimi është kryer kah mesi i muajit tetor, kurse këtë vit ka vonesa me fillimin e vaksinimit. Mjeku Ismaili thotë se nuk është ndonjë problem, sepse edhe kushtet klimatike kanë qenë të mira. “Në shtetet tjera aplikimi bëhet në periudha të ndyrshme. Në Slloveni ka përfunduar vaksinimi, tek ne ndoshta ka patur procedura që e kanë shtyrë vaksinimin nga periudhat e zakonshme të viteve të kaluara, por mund të them se pasi që grip nuk ka, atëherë pa problem mund të merren vaksinat të cilët i mbrojnë këtë kategori të qytetarëve, që të mos atakohen nga gripi”, tha Ismaili.
Ky vaksinim bëhet qëllimisht tash në këtë periudhë pasi që organizmit i duhen më së paku dy javë që të fitoj imunitet pas marrjes së vaksinës. “Kjo vaksinë rekomandohet që të merret nga ana e grupeve më të rrezikuara në periudhën e ardhshme, siç janë të moshuarit të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike, fëmijët e vegjël të cilët kanë imunitet të dobët dhe gratë shtatzëna. Po ashtu rekomandohet që këtë vaksinë ta marrin edhe personat të cilët kanë punë në ambient të hapur apo të ftohtë” thonë nga qendra për shëndet publik”, u shpreh mjeku Ismaili. (koha.mk)