Urim HASIPI
Tetovë, 27 gusht – Edhe këtë vit, pjesa më e madhe e shkollave të mesme të Tetovës do të vazhdojnë të mbajnë emra nga komunizmi, madje edhe me të vjetër se regjimi komunist. Edhe pse mbi 90 për qind e nxënësve janë shqiptarë në të gjitha këto shkolla, stafi akademik po ashtu shumica shqiptarë, megjithatë emrat e këtyre shkollave mbeten të personaliteteve maqedonas dhe serb, shkruan gazeta KOHA. Nxënësit shqiptarë në gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq”, shkollën e mesme komunale tekstile “Gjoce Stojçevski”, shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn”, shkollën e mesme të bujqësisë “Mosha Pijade”, edhe këtë shtator do ta fillojnë mësimin në këto shkolla që mbajnë emra të personaliteteve sllav. Drejtorët e shkollave të mesme shprehen se nuk kanë asgjë kundër emrave aktual të shkollave, por është kërkesë e nxënësve dhe prindërve që shkollat të kenë emër të ndonjë personaliteti shqiptar. “Sa i përket emërimit të shkollave, dihet se është e drejtë ligjore e themeluesit të shkollave, por kemi të bëjmë me një absurd, pasi që ndërrohet sistemi shoqëror ku të gjithë shkollat mbajnë emra të përcaktuar nga ish-sistemi monist, dhe me të njëjtat emra të shkollave vazhdohet e të cilët nuk paraqesin realitetin etnik apo multietnik të shkollave. Një ndër to shkolla është edhe shkolla e mesme siç njihet në opinion – shkolla e mesme tekstile me emrin ‘Gjoce Stojçevski’, që ne nuk kemi asgjë kundër këtij emri, por kërkesa e nxënësve, kërkesa e prindërve, kërkesa e kuadrit edukativo-arsimorë është që shkolla të emërohet me një emër që do të paraqet realitetin e strukturës dhe përbërjes së nxënësve, realitetin etnik në shkollë, dhe pikërisht iniciativa që ka rrjedh nga Këshilli i prindërve, nga Këshilli arsimtarëve dhe Forumi Rinor i Nxënësve është përcjellë deri tek themeluesi dy herë, mirëpo për shkak të rrethanave siç janë deklaruar edhe organet kompetente – nuk ka ardhur në rend të ditës”, deklaroi për KOHA, Abaz Abazi, drejtor i shkollës së mesme tekstile. Ai ka apeluar që këshilltarët komunal të ndërmarrin iniciativë që kjo çështje të dalë në diskutim dhe më pas të miratohet. “Unë edhe njëherë apeloj, sepse asgjë të keqe nuk ka që Këshilli i komunës – në bazë të kompetencave ligjore që ka, ti qaset kësaj kërkese, kësaj iniciative të qytetarëve, dhe të realizojnë funksionin për të cilin janë të zgjedhur ato këshilltarë komunal, sepse mandatin e kanë marrë nga qytetarët për zgjidhjen e problemeve dhe iniciativave të qytetarëve. Në këtë rast, pra është iniciativë e cila nësë kërkohet të ripërsëritet, me siguri se do të ripërsëritet nga organet përkatëse të shkollës, dhe unë personalisht mendoj se është koha e fundit që Këshilli të përcaktohet rreth kësaj problematike dhe të reflektojë me emra të realitetit etnik apo multietnik të nxënësve në radhë të parë, sepse shkollat ekzistojnë për nxënësit dhe të vazhdohet më tutje me punën e procesit edukativo-arsimor pa mos politizuar këtë çështje, ne përsëri si shkollë kemi bërë atë që na përcakton statuti dhe ligji”, tha Abazi. Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Isen Xhemaili, ndërkohë ka thënë se kjo pikë nuk është vendosur në rend dite për shkak se gjatë tërë mandatit ka patur shumë probleme tjera lokale, kurse po ashtu vendi ka patur edhe shumë tensione etnike dhe politike që kanë ndikuar që kjo pikë të mos dalë në rend dite. Për ndryshimin e këtyre emrave duhet që në Këshillin komunal të Tetovës të sillet vendim me parimin e Badinterit – që do të thotë shumica e këshilltarëve maqedonas të votojnë pro këtij vendimi. Megjithatë, edhe pse kaluan katër vite nga përbërja e këtij Këshilli, një propozim i këtillë nuk gjeti vend për diskutim dhe eventualisht për votim. Tashmë zgjedhjet lokale janë në prag dhe me siguri se kjo çështje do të jetë për diskutim edhe në përbërjen e ardhshme të Këshillit të Komunës së Tetovës dhe njëkohësisht do të varet edhe nga disponimi i partive politike maqedonase që do të jenë pjesë e Këshillit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.