Gratë saudite nuk kanë pse të veshin abajën, një veshje e gjatë dhe e lirshme, e ngjashme me një pelerinë, që përdoret për të mbuluar trupat e tyre në publik. Mbretëria islamike është përfshirë nga një erë ndryshimi. Komentet e fundit mjaft domethënëse vijnë nga një prej imamëve më të rëndësishëm në vend, pikërisht Sheikh Abdullah al-Mutlaq. Abaja është e detyrueshme me ligj në Arabinë Saudite dhe fakti që një prej zërave më të rëndësishme në çështjet fetare thotë se s’është më e nevojshme, paralajmëron ndryshime të reja në bazën ligjore. Sipas imamit al-Mutlaq, i cili është pjesë e Këshillit të fuqishëm të Studiuesve të Lartë, 90 për qind e femrave të devotshme myslimane në botë nuk mbajnë abaja, prandaj Arabia Saudite nuk duhet të detyrojë askënd që ta përdorë këtë veshje. Komentet e tij shkaktuan mjaft reagime online, me njerëz që u shprehën pro dhe kundër idesë së re. Ndërhyrja e sheikut pason disa lëvizje për të modernizuar shoqërinë saudite të nxitur nga princi i kurorës Mohammed bin Salman. Një nga qëllimet kryesore të reformës është garantimi i më shumë lirive për femrat, të cilat në Arabinë Saudite përballen me rregulla të rrepta të izolimit gjinor. Një prej ndryshimeve historike ishte ai i shtatorit 2017, kur autoritetet lejuan femrat që të marrin patentën dhe të ngasin makinat.