Nga organizatat joqeveritare, thonë se asnjë nga deputetët dhe anëtarët e Komisionit për Çështjet Evropiane nuk i informoi ata për miratimin e Ligjeve, pavarësisht se më shumë se dy javë më parë 30 organizata dhe institucione shkencore kërkuan që leximi i dytë i Ligjit të shtyhet
Zenel MIFTARI
Shkup, 5 gusht – Menaxhimi me mbeturinat, deponitë e egra dhe hedhja e mbeturina në vende të ndryshme nga qytetarët është një nga problemet më esenciale që përballet vendi ynë kohëve të fundit. Sipas Ligjit për Menaxhimin e mbeturinave i cili është në pritje të miratimit, risi do të jetë ndalimi i përdorimit të qeseve plastike për një përdorim në dyqane dhe markete në zonat e mbrojtura të vendit.
Në fillim propozimi i partisë së gjelbër RDM, ishte që të ndalohet plotësisht përdorimi i qeses së plastikës, por një gjë e tillë nuk u pranua nga deputetët me shpjegimin se vendi nuk është përgatitur ende për një gjë të tillë.
Nga partia e gjelbër RDM, Maja Moraçanin, thotë se vërejta e tyre e cila edhe nuk u përfshi në projektligj, është se u la sërish mundësia e importimit të mbeturinave të përdorura si energji. “Propozimi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në projektligj ishte që qeset plastike të kushtojnë 10 denarë, unë kërkova 20 denarë dhe komisioni ra dakord që çmimi të jetë 15 denarë për një qese plastike në një dyqan. Ligji është përgjithësisht i mirë, duke vënë në dukje se këto janë ligje që përputhen me rregulloret evropiane, dhe është veçanërisht e rëndësishme që ndalimi i importit të mbeturinave si energji të mbetet në fuqi në kushtet kur institucionet shtetërore ende nuk kanë kapacitet për të kontrolloni në mënyrë efektive importet e mbeturinave”, u shpreh Moraçanin. Sipas saj, vendi ynë, duhet të krijoj një sistem dhe të bëjë deponi rajonale. “Kjo nënkupton mbylljen e deponive ilegale, krijimin e deponive sanitare me stacione transferimi në vende më të vogla. Ky është i gjithë sistemi, dhe më afër realizimit është deponia rajonale sanitare për rajonin lindor dhe verilindor në Shëni Nikollë. Këto janë grante të financuara nga BE, por ndërtimi, pas kaq vitesh, ende nuk ka filluar”, ka deklaruar ajo. Në fund Moraçanin ka shtuar se sipas informacioneve të saja, vonimi i fillimit të ndërtimeve të deponive sanitare vjen si rezultat i mosmarrëveshje mes komunave.
Nga organizatat joqeveritare, thonë se asnjë nga deputetët dhe anëtarët e Komisionit për Çështjet Evropiane nuk i informoi ata për miratimin e Ligjeve, pavarësisht se më shumë se dy javë më parë 30 organizata dhe institucione shkencore kërkuan që leximi i dytë i Ligjit të shtyhet. Ata kërkuan që të organizohet një dëgjim publik i Ligjit, në mënyrë që OJQ-të, opinioni publik dhe ekspertët, të mund të shprehim opinionin dhe propozimet e tyre për përmirësimin e Ligjit.
Problemi me menaxhimin e mbeturinave në vendin tonë, është problem i vjetër. Pothuajse në çdo vendbanim, urban apo rural, ka ndonjë deponi ilegale me mbeturina ndërtimore, metale, plastika dhe mbeturina të tjera. Imazhet e këqija dhe me mbeturina mund të shihen edhe në zona të mbrojtura, parqe kombëtare dhe shtretër lumenjsh. Ndryshe në Maqedoninë e Veriut, gjatë muajit qershor Qeveria morri vendim që të vendos taksë ekologjike për çdo litër të shitur të karburantit. Ndërkohë shitja dhe përdorimi i qeseve plastike është ndaluar në vendet e Bashkimit Evropian, që nga 3 korriku pasi hyri në fuqi ndalimi i dhjetë llojeve të produkteve plastike të disponueshme.