Pozita dhe opozita shqiptare kanë qëndrime të kundërta për sa i përket mbështetjes së ndryshimeve Kushtetuese në fazën përfundimtare, kur edhe nevojiten 2/3 e votave të deputetëve që ato të miratohen dhe me këtë – ti hapet rrugë ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës
Zejnulla VESELI & Destan JONUZI
Shkup, 3 janar – Partitë politike shqiptare me qëndrime të ndara për sa i përket votimit të ndryshimeve Kushtetuese në fazën finale. Përderisa Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA janë të rezervuar në qëndrimet e tyre, BDI dhe PDSH thonë se do të mbështesin ndryshimet kushtetuese me qëllim të mos pengohet rrugëtimi euroatlantik i vendit dhe sa më parë të ratifikohet Marrëveshja e Prespës edhe në Parlamentin grek, shkruan gazeta KOHA.
“Ne si Aleancë i përkrahëm pa rezervë këto ndryshime, të bindur se me këtë përkrahje ishte e sigurt rruga drejt strukturave veriatlantike dhe hapja e Kushtetutës për ndryshime, si nevojë e realizimit të Marrëveshjes së Prespës me të cilën u ndërrua edhe emri i shtetit. I gjithë ky kontribut i vullnetit të mirë të shqiptarëve edhe pas ndryshimeve kushtetuese mbaroi pa përfilljen e amendamenteve të opozitës shqiptare. ‘Falë’ përkrahjes pa rezervë të BDI-së dhe disa partive të vogla shqiptare, si pjesë e koalicionit qeverisës, kërkesat e shqiptarëve të artikuluara përmes partive opozitare, si duket, do të mbeten jashtë agjendës së Qeverisë Zaev, si propozues e ndryshimeve kushtetuese”, thonë nga ASH-ja. Nga kjo parti nuk deshën të precizojnë se si do të votojnë deputetët e saj kur në rend dite do të jetë votimi final për ndryshimet Kushtetuese, por thonë se opinioni me kohë do të njoftohet me qëndrimin e tyre.
Deputeti i Lëvizjes BESA, Fadil Zendeli, thotë për gazetën KOHA se LSDM dhe Zaevi votat e kësaj partie për hapjen e Kushtetutës i mori pa asnjë kushtëzim për shkak se bëhej fjalë për anëtarësimin e Maqedonisë ne BE dhe NATO, por megjithatë, tani ka ndryshuar situata.
“Të shpresojmë se derisa kryeministri Zaev kishte kohë të bisedonte më njerëz të inkriminuar në raste të ndryshme siç është dhuna ndaj deputetëve apo institucionit më lartë ligjvënës në vend, dhe të gjithë t’i lirojë nga burgu, mendoj se ka kohë të merret vesh edhe me liderët e partive opozitare që të shqyrtojë edhe kërkesat tona që janë legjitime dhe çojnë drejt avancimit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Nëse Zaevi nuk gjen kohë të takohet dhe të bisedojë më deputetët e opozitës shqiptare në Parlament dhe nuk i pranon kërkesat tona, dy deputetët e lëvizjes BESA nga Tetova nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese më 15 janar” thotë Zendeli.
Sipas tij, habit fakti si se është e mundur që deputetët shqiptarë në koalicion me LSDM-në nuk mund ta kuptojnë kurthin që po ju përgatit partneri i koalicionit kur në Preambulë, në mënyrë precize theksohet se “Republika Veriore e Maqedonisë është shtet i maqedonasve dhe bashkësive tjera etnikë që jetojnë brenda territorit të Maqedonisë”, ndërsa po manipulon në radhë të parë më deputetët e BDI-së dhe PDSH-së, e më pas edhe më shqiptarët që bindshëm votuan LSDM-në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni.
“Zaevi edhe njëherë po dëshmon se nuk qëndron pas motos ‘Një shoqëri për të gjithë’, me çka shqiptarët e Maqedonisë ja dhanë votat, kurse tani nuk i përfillë kërkesat e partive opozitare, gjegjësisht dy amendamentet që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Nëse nuk pranohen amendamentet e BESËS dhe ASH-së dhe nuk ndryshohet Preambula dhe shqiptarët nuk janë shtetas të barabartë me maqedonasit, atëherë vëllezërit dhe prindërit tanë që jetojnë përkohësisht në shtetet evropiane nuk kanë të drejtë të jenë shtetas të Maqedonisë, sepse shtetas mund të jenë vetëm ata që jetojnë brenda territorit të Maqedonisë. Po ashtu, me këtë i hapet rrugë Regjistrimit të popullsisë në vitin 2020, ndërsa asnjë shqiptar që përkohësisht jeton dhe punon në vendet e BE-së, nuk mund të regjistrohen si banorë të Maqedonisë”, thotë Zendeli.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), për hyrë të proceseve eurointegruese, thonë se do të mbështesin finalizimin e ndryshimeve Kushtetuese, me qëllim që proceset euro-integruese të lëvizin sa më shpejt.
“Procesi i Marrëveshjes së Prespës duhet të shkojë deri në fund, përcaktimi ynë euro-atlantik si shqiptarë është më se i qartë. Andaj nuk duhet penguar këtë rrugë. Për të gjitha temat e hapura kemi qenë edhe jemi të hapur për të biseduar”, thonë nga BDI. Ndërsa, nga PDSH-ja e Menduh Thaçit theksojnë se paraprakisht Maqedonia ishte e bllokuar pa perspektivë dhe jonfuksionalitete, ndërsa tani në Marrëveshjen e Prespës ekzistojnë mundësi për zhvillim dhe perspektivë. “Presim që shumë shpejtë përmes realizimit të obligimeve të Marrëveshjes së Prespës me ndryshimet Kushtetuese ajo të ratifikohet. Presim që e njëjta të bëhet edhe nga pala greke me çka do të hapet rruga jonë drejt BE-së dhe NATO-s”, thonë në PDSH. (koha.mk)