Shkup, 10 janar – Ndryshimet kushtetuese në fazën e tretë dhe të fundit janë në rend të ditës të vazhdimit të sotëm të seancës kuvendore, prejse mbrëmë me 78 vota “pro” ishte miratuar rendi i ditës i seancës së 75-të, në të cilin, mes tjerash, janë edhe propozim-amendamentet XXXIII, XXXIV, XXXV dhe XXXVI të Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë, si dhe propozim-ligji kushtetues për shpalljen e amendamenteve.
Për përfundimin e fazës së tretë dhe të fundit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat dolën nga Marrëveshja e Prespës nevojitet shumicë prej dy të tretave, të cilat kryeministri Zoran Zaev mundohet t’i sigurojë, ndërsa për të cilën thotë se do të kuptohet nëse është në ditën e votimit.
Çdo amendament konfirmohet me shumicë të thjeshtë, më pas hapet debati i përgjithshëm, pastaj debati për tekstet dhe secili amendament individualisht votohet me shumicë prej dy të tretave. Pastaj votohet për të gjitha amendamentet së bashku me shumicën prej dy të tretave dhe në fund hapet ligji kushtetues, për miratimin e të cilit gjithashtu nevojitet shumicë prej dy të tretave.
Zaev mbrëmë ka negociuar me Besën e Bilall Kasamit në lidhje me kërkesat e tyre për amendamentet, ndërsa paraprakisht ishin pranuar një pjesë e kërkesave të Aleancës për Shqiptarët të Zijadin Selës.
Zaev në intervistë për Tv Sitel mbrëmë tha se shumicë prej dy të tretave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese ende nuk ka dhe shtoi se ajo do të dihet në vetë aktin e votimit. Theksoi se kërkesat e Aleancës për Shqiptarët ishin nga aspekti teknik dhe ato janë pranuar, ndërsa lidhur me kërkesat tjera, për të cilat bisedohet, sqaroi se po kërkohet zgjidhja më e mirë për qytetarët me prejardhje etnike shqiptare.
“Lidhur me pjesën tjetër për të cilën bisedohet absolutisht kërkohet zgjidhje, sepse në shtetësi shkruan maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë Veriore , të mos nominohen si maqedonas ose se janë shqiptarë dhe megjithatë janë qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore ose deri më tani Republikës së Maqedonisë . Në një konstelacion të tillë besoj se do të gjejmë një zgjidhje, këtu kërkohet mënyra”, theksoi Zaev.
Seanca sot do të fillojë në orën 13:00, siç paralajmëroi dje kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, pas fjalimit të Zaevit para deputetëve në lidhje me fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese, në të cilën kërkohet vendim pozitiv, të cilën e quajti historike dhe mundësi për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.
“Vendimi juaj pozitiv këtu në Kuvend sot e afron Maqedoninë pranë anëtarësimit në NATO, deri në momentin kur flamuri i Maqedonisë me krenari do të valëvitet në shtizën në Bruksel me flamujt e vendeve tjera anëtare, por gjithashtu edhe e bën mundësi në qershor t’i hapim kapitujt e parë në negociatat me Bashkimin Evropian, të cilat duhet t’i mbyllim në vitin 2025”, u porositi dje Zaevi deputetëve nga foltorja kuvendore.
Shprehu falënderim deri te partnerët e koalicionit, BDI, PDSH, Besa e Afrim Gashit, deri te tetë deputetët e VMRO-DPMNE-së të cilët kanë shprehur konstruktivitet në tërë procesin për dallim të deputetëve tjerë nga blloku opozitar maqedonas, deri te deputeti i GROM, Panço Minoov. Nga foltorja kuvendore i’u falënderua edhe Aleancës për Shqiptarët dhe partisë Besa të Kasamit.
Pas shpalljes së amendamenteve deputetët duhet ta votojnë edhe ligjin kushtetues për zbatimin e tyre. Këto amendamente do të jenë pjesë përbërëse e Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë dhe do të hyjnë në fuqi me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes përfundimtare për zgjidhje të dallimeve të përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit për Siguri të Kombeve të Bashkuara, për ndërprerje të vlerës së Marrëveshjes së përkohshme nga viti 1995 dhe për lidhje të partneritetit strategjik mes palëve dhe ratifikimi i Protokollit për inkuadrim në NATO nga pjesa e parë e Marrëveshjes përfundimtare.
Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së dhe deputet Aleksandar Kiracoski dje ka informuar se është siguruar përkrahje pre së paku 80 deputetëve për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
VMRO-DPMNE dhe Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë”, siç deklaroi edhe lideri i partisë Hristijan Mickoski paraprakisht para Kuvendit, se nuk do të marrin pjesë në seancë dhe nuk do ta japin legjitimitetin për ndryshim të Kushtetutës.
Kuvendi i Maqedonisë më 19 tetor me 80 vota e solli vendimin për inkuadrim në ndryshimet kushtetuese. Edhe pse shumica e nevojshme prej dy të tretave në fazën e parë të ndërrimit të Kushtetutës ishte e pasigurt deri në vetë fillimin e votimit, megjithatë në momentin e fundit përveç 72 deputetëve të shumicës qeveritare për inkuadrim ndaj ndryshimeve të Kushtetutës votuan edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni. Për fazën e dytë e cila kaloi që muajin e kaluar, nevojiteshin 61 vota nga gjithsej 120 deputetë.