Shkup, 11 janar – Ndryshimet kushtetuese në fazën e tretë dhe finale sot sërish para deputetëve në Kuvend në suaza të seancës së 75-të, prejse dje seanca e caktuar ishte anuluar dhe ricaktuar për sot në orën 12:00.
Kryeministri Zoran Zaev dje tha se ende janë në negociata me partinë BESA të Bilall Kasamit i cili ka dy deputetë në Kuvend, rreth kërkesave të tyre për ndryshimet kushtetuese, në fokus të mënyrës se si do të definohet shtetësia dhe për mbrojtjen e diasporës, por për momentin nuk ka informacione zyrtare për vazhdën e bisedimeve.
“Nuk mund të them nëse do të votojnë 80 deputetë, ose sërish do të jenë 79, 82 ose 88, askush nuk mund ta tregojë atë. Besoj se procesi i bisedave i cili ka vazhduar jep mundësi të besojmë se do të sigurohet numri i nevojshëm prej 80 deputetëve, ai është qëllimi përfundimtar dhe për atë bisedojmë”, deklaroi Zaev.
Paralelisht me përgatitjet për ndryshimet kushtetuese në Kuvend, jashtë para ndërtesës së Kuvendit u mbajt protestë qytetare kundër ndryshimit të emrit në organizim të shoqatës “Maqedonia bllokon” dhe partisë “Maqedonia e Vetme”. Në protestë u përfshi edhe lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, i cili në fjalimin e tij porositi se “në skenë të hapur zhvillohet ky pazar me emrin dhe identitetin” dhe se “ai dhe VMRO-DPMNE” do të bëjnë gjithçka që marrëveshja të mos ndodh”.
Kuvendi i Maqedonisë më 19 tetor me 80 vota e solli vendimin për ndryshimet kushtetuese. Edhe pse shumica e nevojshme prej dy të tretave në fazën e parë të ndërrimit të Kushtetutës ishte e pasigurt deri në vetë fillimin e e votimit, megjithatë në momentin e fundit përveç 72 deputetëve të shumicës qeveritare për inkuadrim ndaj ndryshimeve kushtetuese votuan edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni. Për fazën e dytë, e cila kaloi muajin e kaluar, nevojiteshin 61 vota prej gjithsej 120 deputetëve. Për përfundim të fazës së tretë dhe të fundit nevojiten votat e shumicës së dy të tretave.