Shkup, 19 dhjetor– Propozim-amandamentet për ndryshime të Kushtetutës, në pajtim me Marrëveshjen e Prespës u mbështetën sot nga deputetët në Komisionin kuvendor për çështje kushtetuese.
Në mbledhjen në të cilën debatohej për propozim-amandamentet e Kushtetutës nuk morën pjesë deputetët nga VMRO-DPMNE opozitare.
Në fokus të debatit ishte shtetësia gjegjësisht neni 2 dhe paragrafi 2 ku parashikohet shtetësia të jetë “maqedonase/qytetarë të Republikës të Maqedonisë Veriore”.
Vërejtjet vinin nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe nga BESA të cilët kërkuan në pjesën për shtetësinë ku është cekur “maqedonas/qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore”, të fshihet termi “maqedonas” dhe të shkruajë vetëm “shtetas të Republikës së Maqedonisë”.
Me këtë formulim nuk dakordohen deputetët nga Aleanca për Shqiptarët Ziadin Sela dhe Fadil zendeli nga BESA. Deputetët Sonja Mirakovska nga PRSD dhe deputeti opozitar Panço Minov nga GROM, ndërkaq, i përshëndetën intervenimet në amandamentet e propozuara pas debatit kuvendor dhe debateve publike organizuar nga Qeveria.
Sela vlerëson se me formulimin e tillë humbet kuptimi i Kushtetutës dhe krijohet ndarje e qytetarëve në maqedonas dhe të tjerë i cili pasqyrohet në shoqëri. Këtu sipas tij, por edhe sipas Zendelit duhet të qëndrojë “shtetas të Republikës së Maqedonisë”. Lideri i Aleancës për Shqiptarët e akuzoi kryeministrin Zoran Zaev se siç tha “ndërton koncept nacional monoetnik” dhe se e imponon në shtet.
Për shtetësinë, tha Zendeli, nuk është biseduar në parlament, por tani në mënyrë “kontrabandiste” vendoset në ligjin e propozuar kushtetues për zbatimin e amendamentet. Edhe ai si edhe Sela kanë parashtruar amendamente deri te Komisioni për nenin 2 paragrafin 2 nga ligji kushtetues sa i përket shtetësisë. Intervenimet shtesë që janë bërë në amendamentet e propozuara pas debateve publike, sipas tij, janë makijazh dhe se në ligjin kushtetues vendoset diçka që nuk është përmendur në Marrëveshjen e Prespës. Deputeti i Besës tha se amendamenti që e ka parashtruar për këtë nen është sipas Kushtetutës.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani duke u përgjigjur deputetëve shqiptarë tha se intervenimet janë bërë në pajtim me Marrëveshjen e Prespës, që ishte arsye për ndryshime kushtetuese, ndërsa çështjet etnike janë përfshirë në Marrëveshjen e Ohrit, e cila do të behet pjesë përbërëse e Kushtetutës.
Deputeti i opozitës Panço Minov nga GROM, propozimet për intervenim në amendamentet kushtetuese të të cilit pjesërisht u pranuan nga ana e Qeverisë posaçërisht në pjesën e Marrëveshjes së Prespës, tha se kjo shumë do të ndikojë në votimin e tij në seancën plenare kur edhe duhet të miratohen ndryshimet kushtetuese.
Për propozim-ligjin kushtetues u parashtruan shtatë amendamente edhe atë Aleanca për Shqiptarët, BESA, Muhamed Zekiri dhe grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit. Amendamente për propozim amendamentet për seancën plenare mund të parashtrohen më vonë tetë ditë para fillimit të seancës, e cila është caktuar për më 9 janar të vitit të ardhshëm. Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në fazën e tretë nevojitet shumicë prej dy të tretave.