Shkup, 8 janar – Partitë opozitare shqiptare dhe Qeveria e Maqedonisë ende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese, të cilat, të mërkurën pritet të diskutohen në seancën e parë plenare të Kuvendit për këtë vit.
Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë dorëzuar disa amendamente përmes të cilave kërkojnë avancimin juridik të shqiptarëve në shtet, të bëhen popull shtetformues, gjuha shqipe të përcaktohet si gjuhë zyrtare dhe të mos qëndrojë përkufizimi si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës si dhe në dokumentet personale të mos qëndrojë mbishkrimi “maqedonas/shtetas i Maqedonisë së Veriut”, por vetëm shtetas, pa përcaktimin maqedonas, apo nëse qëndron ky përcaktim atëherë edhe bashkësitë etnike të kenë të drejtën e përcaktimit, si “shqiptar/shtetas i Maqedonisë së Veriut”, shkruan gazeta Koha.
Analisti, Petar Arsovski beson se procesi mund të shpëtohet në gjetjen e një kompromisi të mundshëm, por jo edhe në lëshime që do t’i humbnin esencën marrëveshjes apo që do të rrezikonin votat e deputetëve të përjashtuar të VMRO-së që tani veprojnë si të pavarur.
“Nuk besoj se Zaevi do të bëjë lëshime për diçka për të cilën është marrë vesh me palën greke. Këtë nuk besoj se edhe lëvizja Besa mund ta kërkojë e kryeministri t’ja jap. Mendoj se kompromisi i vetëm që mund të bëhet është që të ketë lehtësime gjatë zbatimit të marrëveshjes së Prespës lidhur me ndonjë kërkesë të partive shqiptare, thotë Arsovski.
Përndryshe, që të jetë e plotfuqishme, marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë, por vetëm pasi më parë të jetë zbatuar tërësisht nga Maqedonia. (Koha.mk)